Aktualitet

Virusi HMPV/ Mjeku Alimehmeti: Mundësitë për një pandemi janë shumë të ulëta, ja pse “goditi” Kinën

Spitalet në Kinë janë mbipopulluar pasi vendi po sheh një rritje të një virusi që shkakton probleme me frymëmarrjen, i njohur si metapneumovirus njerëzor (HMPV).

Kjo ka bërë që të krijohet një frikë në të gjithë botën, pasi skenat e përhapjes së virusit HMPV ishin të ngjashme me shpërthimin fillestar të Covid.

Lidhur me këtë ka folur në emisionin “ABC e Mëngjesit”, mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, i cili ka deklaruar se mundësitë që ky virus të kthehet në pandemi janë shumë të ulëta.

Ai ka theksuar se HMPV ka qenë mes nesh dhe vite më përpara, nuk u shfaq në Kinë, por ka një arsye pse është përhapur atje.

“Nuk është virus i ri, por është identifikuar në Holandë në 2001. ka ekzistuar dhe më përpara. Në studimet e njerëzve do të thotë që ka qene dhe vite më përpara.

Por pse ndodhi në Kinë? Për të larë ato ‘haraçet’ e tre viteve mbyllje. Ata qendruan të izoluar dhe frenuan të gjitha viruset, duke u mbyllur. Ky virus këtu ka qenë. Të gjithë e kemi kaluar një herë. Ky thjesht nuk jep imunitet të plotë, ç’ka do të thotë që pas dy vjetësh ti mund të infektohesh prapë. Por Kina duke qenë e mbyllur nuk e ka prekur.

Ky virus mundësitë për të shkaktuar pandeminë i ka shumë të ulëta. Gripi i ka mundësitë që kthehet në pandemi, por jo ky virus”, u shpreh mjeku.