Sport

Viti 2025 i ka futur në krizë rezultatesh, Kukësi e pret ndryshimin nga afrimet e merkatos së dimrit

Kukësi nuk e ka nisur mirë vitin, pasi në pesë ndeshje ka marrë vetëm një fitore me Pogradecin dhe ka pësuar katër humbje. Një prej të cilave ishte në Kupë, që i solli edhe eliminimin nga ky kompeticion. Me rezultatet e arritura deri më tani, blutë e ndiejnë ende veten të rrezikuar sa i përket mbijetesës dhe do të tentojnë të bëjnë menjëherë kthesën në rezultate.

Pikërisht këtë kthesë, tekniku Alfred Allamani dhe e gjithë skuadra e pret nga afrimet e reja që janë bërë së fundmi. Në letër duket se skuadra është përforcuar në krahasim me grupin që ka pasur Kukësi në përbërje deri para sfidës së fundit me Besën. Afrimi i portierit Samuel Femi Oriola, mbrojtësit Xhekson Ferreira dhe Tomas Nguesan, duket se kanë rritur sadopak cilësinë e bluve në prapavijë. Ky ka qenë pikërisht reparti më problematik për verilindorët deri tani, madje në mbrojtje Allamani ka qenë në emergjencë për mungesë lojtarësh.

Mirëpo, me afrimet e bëra shpresohet që ky problem të marrë fund dhe Kukësi të marrë pikët që i duhen për të shpëtuar sezonin. Ndeshja e radhës do të jetë ndaj një kundërshtari të vështirë, siç është Burreli dhe do të luhet në “Kukës Arena”. Pikërisht këtë faktor, blutë do të përpiqen ta shfrytëzojnë sadopak, edhe pse deri më tani nuk është se kanë marrë shumë pikë. Aktualisht Kukësi mban vendin e nëntë me 20 pikë të grumbulluara.