Politikë

Vizita e Ballukut në zonat e përmbytura, Xama: Pasi vjedhin paratë, dalin dhe premtojnë…

Gazetarja Ola Xama ka reaguar pas vizitave që bëri zëvendësja e Ramës, Belinda Balluku e cila është nën akuza nga SPAK, në zonat e përmbytura.

“Pra, pasi vjedhin paratë e projekteve që duhet të shkonin për të parandaluar fatkeqësitë natyrore, dalin dhe premtojnë se do të futin dhe njëherë dorën në xhepat tanë dhe do të dëmshpërblejnë familjet e dëmtuara”, shkruan gazetarja në një mesazh në rrjetet sociale.

Postimi:

Pra, pasi vjedhin paratë e projekteve që duhet të shkonin për të parandaluar fatkeqësitë natyrore, dalin dhe premtojnë se do të futin dhe njëherë dorën në xhepat tanë dhe do të dëmshpërblejnë familjet e dëmtuara.

Kështu dalin si heronj dhe shpëtimtarë, ndërsa qytetarët ulin kokën dhe presin të marrin pagesat. Revoltë nuk ka, vetëm nënshtrim. Mbase dhe ndonjë tender të shpejtë m.q.s. po shpallet gjendja e emergjencës.

Çfarë ndodhi në Durrës?

Në emër të fatkeqësisë natyrore të tërmetit, sajuan një tender sekret për rindërtimin e hidrovorit. Hidrovori punonte shumë mirë dhe vetëm muret e godinës ishin dëmtuar, por në kohë reshjesh ujrat e tij shkarkoheshin afër portit të Porto Romanos dhe kjo shqetësonte koncesionarin e portit.

Hidrovori zhvendoset, kompania në pronësi të familjarëve të zyrtarëve socialistë fiton kontratën me vlerë 20 milion euro. Vepra përfundon, por nuk funksionon si duhet. Koncesionari i portit shpëton, familjarët e zyrtarëve fitojnë miliona euro, por Durrësi përmbytet.

Tani thonë që do të dëmshpërblejmë qytetarët me paratë që ata derdhin. Për çudi këtë kërkoi sot dhe opozita.

Jo. Paratë e dëmshpërblimit duhet t’i paguajë kompania që ka krijuar dëmin me punimet pa standard të hidrovorit dhe ajo që kërkoi zhvendosjen e tij.

Nëse do të ishim në një vend ku funksionin shteti dhe drejtësia, do të kishin nisur menjëherë hetime, do të nxirreshin përgjegjësitë, dhe pas kësaj në proces civil qytetarët duhet të kërkonin dëmshpërblim. Kompanitë patjetër që mund të falimentonin, por nuk besoj se do të guxonte më ndonjë firmë që të përfshihej në skema të tilla.

Në vend të kësaj kemi një zv/kryeministre të dyshuar nga Prokuroria për favorizim me dëm 30 milion euro të dy shoqërive turke që premton dëmshpërblime pa bërë askënd fajtor, dhe një opozitë që ka frikë t’i përmendë emrin “oligarkëve”.