Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me defektin në rrjetin e ujësjellësit që ka lënë Vlorën prej 5 ditësh pa ujë.
Ndërsa qytetarët protestojnë të revoltuar nga dita e djeshme, Rama ka publikuar në ‘X’ një reagim ku duket se ka gjetur edhe fajtorin, por edhe tallet me vlonjatët.
Rama shkruan se një pajisje, jashtë standardeve, e montuar në 2009-2010, ka sjellë edhe avarinë e rëndë. Në vijim, gjithë stresin dhe situatën e vështirë të krijuar si pasojë e mungesës së ujit, Rama e trajton si një “plasje të syrit të keq”.
“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…
Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën.
Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, shkruan Rama.
