Vora sot ndeshet kundër Tiranës, në stadiumin e Vorës, në ora 13:30, ndaj të cilës, ka fituar dy takimet e fazave të para të luajtura në shtëpinë e Tiranës, duke i fituar bindshëm 3-1 dhe 2- 0, me rezultatin e përgjithshëm 5-1.
E kësisoj vorakët kërkojnë edhe suksesin e tretë radhazi në takimet e superligës kundër Tiranës. Përballja kundër Tiranës konsiderohet për momentin si një rival direjkt në objektivat e Vorës për mbijetesën dhe fitorja në këtë takim mbetet një detyrim për ta, pasi i shkëput edhe tre pikë më shumë në diferencën mes tyre. Për këtë skuadra është përgatitur në tre seancat e zhvilluara, që pas fitores me Partizanin në mënyrë që të edhe këtë herë të mos dështojë për të marrë tri pikët e radhës.
27-vjeçari kryeqytetas në rolin e mbrojtësit të majtë, ka luajtur 17 ndeshje me Vorën këtë sezon me një minutazh prej 1495 minuta. Është futbollist i formuar profesionalisht në Akademinë e Tiranës dhe ai sot do të jetë sërish një kundërshtar kundër tyre. E posaçërisht ne zhvilluam një bisedë me të për “Panorama Sport”, lidhur me këtë takim kundër ish-skuadrës.
Si e përjeton Vrapi, ndeshjen kundra Tiranës?
Tirana është ekipi që unë jam rritur, dhe kam hedhur hapat e para në jetë, si futbollist dhe padyshim që sa herë ndeshem kundër Tiranës ndjenjat të veçanta e të ngjallin edhe emocione.
Keni fituar dy takimet e para, po në të tretin?
Shpresojmë që të marim dhe fitoren e tretë kundër Tiranës, duke qenë se vijmë nga një fitore të bukur me Partizanin dhe morali ynë është tejet i lartë.
Stadiumi Vorës doli me fat, e nisët me fitore, sa ndikon tek skuadra e Vorës prania në stadiumin e saj?
Sigurisht që ndeshjet në shtëpi kanë ndikimin e padiskutueshëm edhe në skuadër, pasi luhet në praninë e një tifozeri të shumtë, përveç anës ku ne stërvitemi në atë fushë dhe jemi mësuar me të, pasi çdo ditë e shohim dhe e njohim shumë çdo cep të saj.
Vora po arrin objektivin, duke ju larguar zonës së rrezikut, sa e aftë është kjo skuadër që të rrezistojë deri në fund?
Besoj se ne jemi aq të aftë për të rrezistuar deri në fund pa e diskutuar fare, duke marrë parasysh shumë faktorë negative që na ndodhën gjatë dy fazave të para. Edhe pse kemi luajtur jashtë shtëpisë sonë, duke shtuar edhe mungesat e shumta nga dëmtimet si dhe ndonjë penalizim nga ana e gjyqtarëve, kemi bërë shumë e tashmë që ndodhemi në situata krejtësisht të ndryshme me dy fazat e para, rezultatet do të jenë edhe më të mira. Kështu që Vora nuk do ta diskutojë fare rënien nga kategoria.
Cilat janë synimet e Vrapit gjatë këtij sezoni?
Qëllimi im është që skuadra e Vorës të qëndrojë në superligë dhe të na ruajë Zoti nga dëmtimet, kaq për momentin më mbrapa do të kemi kohën për të parë më tej.