Vora luan ndeshjen e shtatë në shtëpi, Dalipi: Kërkojmë maksimumin ndaj Elbasanit
Te Vora ekziston optimizmi dhe me seancën e sotme ata i japin fund përgatitjeve, për takimin kundër Elbasanit. Ndeshje kjo që ka Elbasanin pritës në Vorë të shtunën në drekë në stadiumin “Vora”. Që nga ndeshja e parë e 15 janarit, Vora nuk ka dalë nga shtëpia. Pra kjo do të jetë ndeshja e 7-të radhazi që vorakët do ta luajnë në shtëpi. Madje po në shtëpi ato do të luajnë edhe takimin kundër Dinamos e për ta mbyllur fazën e tretë do të udhëtojnë drejt Ballshit, që mbetet takimi vetëm për këtë fazë jashtë fushës së saj.
Kështu që optimizmi mbetet te vorakët në mënyrë që të shfrytëzojnë në maksimum ndeshjet brenda fushës së tyre me qëllimin që të mundet ti mbijetojnë qëndrimit në superiore. E pozitat e deritanishme janë të favorshme pasi vendi 7-të është vend komod për qëllimet e këtyre klubeve. “Elbasani është ekip fortë, por nuk na tremb, sepse kemi një grup të konsoliduar e në formë për të përballuar çdo vështirësi e çdo kundërshtar”.
Me këto fjalë e nis prononcimin e tij, mesfushori djathtë vorak, Kevin Dalipi, që ka dhe tipare mbrojtëse, duke e ndihmuar skuadrën për t’u lidhur nga mbrojta në sulm në linjën e djathtë. Lidhur me këtë takim Kevin Dalipi, vijon me tej, duke përcaktuar dhe rivalin më të fortë si kundërshtar të Vorës. “Në këtë sezon ka një rival të vetëm e ai është vetë Vora, pasi kjo skuadër i ka dominuar rivalët, si në lojërat e bukura por edhe në rezultatet e kënaqshme që kemi arritur ndaj tyre.
Kjo arritje e deritanishme i përket vetëm meritës së kësaj skuadre dhe trajnerit, që drejton ekipin me mentalitetin për të zgjidhur momentet më të vështira, pasi siç dihet në disa ndeshje ne kemi pasur fluks mungesash, sa për dëmtime e po aq edhe për ndëshkime.
Këto e kanë përforcuar karakterin duke na shtyrë që të shkojmë përpara. Prandaj ne si skuadër shikojmë vetëm veten tonë dhe asnjë kundërshtar tjetër, pasi nëse veprojmë ndryshe do të gabojmë”, ka përfunduar prononcimin e tij, 25- vjeçari, Kevi Dalipi, që deri tani ka luajtur 17 ndeshje me Vorën.