Aktualitet

Xhambazi Simon Zereci nuk u zgjodh dot kryetar, nisin lëvizjet në Gardë; ndryshime ligjesh dhe shkarkime

Garda e Republikës duket se nuk gjen qetësi. Largimi i Ermal Onuzit u pa si një sinjal se gjërat do të ndryshojnë, pasi historiku i drejtuesve abuzues është i gjatë. Në vend të tij u komandua Simon Zereci, një kopje më e keqe, në dosjen e të cilit ka fakte penale, abuzime me detyrën dhe lidhje me krimin.

Prej 8 muajsh i komanduar në krye të Gardës, 63-vjeçari Simon Zereci, pasi ia ka parë hajrin favoreve dhe përfitimeve të paligjshme e krekosjes si cub, tentoi pazaret për t’u emëruar Drejtor i Gardës me mandat 5-vjeçar. Në garën e hapur pak kohë më parë, ai shfaqi interes, bashkë me 7 emra të tjerë: Arian Sopiqoti, Denis Deliu, Faik Basha, Ilirjan Hasanaj, Liman Hoxha, Vasil Çuni dhe Zaje Osma.

Kandidatët u testuan. Procedura përfundoi. Por kandidati i paracaktuar nuk fitoi. Dhe pikërisht këtu shpërtheu skandali. Ministria e Brendshme tha se procedura u mbyll pa fitues, edhe pse në garë kishte figura të tjera me vlerë. Pra, meqë nuk fitoi Zereci, i cili do të vijojë të rrijë i komanduar, nuk mund të emërohet askush tjetër.

Dhe pas këtij skandali, kanë nisur të tjera lëvizje. Sot janë bërë dy shkarkime në radhët e Gardës së Republikës. Mësohet se është lëvizur nga detyra drejtori i Planifikimit dhe Kontrollit (DPK), Kryekomisar Arjan Sopiqoti. Në vend të tij është emëruar Drejtues i Parë Agim Hila. Po ashtu është larguar Drejtori për Sigurinë e Personaliteteve të Larta Shtetërore (DSPLSH), ndërsa vendi mbetet vakant. Duhet theksuar se Arjan Sopiqoti ka qenë mes konkurrentëve për drejtues.

Ndërkohë, mësohet se Ministria e Brendshme po mendon të bëjë ndryshime ligjore, pas dështimit të garës. Plani është që të vendosen kritere të tjera për kandidatët. Po ashtu synohet rikthimi i moshës së daljes në rezervë për gradat e larta: kryekomisari 57 vjeç, Drejtuesi 59 vjeç dhe Drejtuesi i Parë 61 vjeç. Nëse ndodh kjo, Simoni duket se do të flaket si limon i shtrydhur, pasi është 63 vjeç. Por mund të jetë edhe një tjetër manovër për ta bërë kryetar, prandaj duhet pritur ligji. /Pamfleti