Historia tragjike e Xhuana Nikollit nis që në datën 9 mars ku ish-bashkëshorti kërkoi ta takonte përsëri. Xhuana sapo ishte vendosur në kryeqytet, duke jetuar në një apartament me qira së bashku me një shoqe, pas ndarjes nga Fizi. E reja, e diplomuar në drejtësi, kishte nisur punë për të përballuar jetesën dhe priste të fillonte një profesion në fushën e saj, një mundësi që e kishte bërë shumë të lumtur.
Familjarët e Xhuanës, kryesisht motrat e saj, ishin të vetëdijshëm për tensionet me ish-bashkëshortin dhe kishin ndihmuar në vendimin që ajo të lëvizte drejt Tiranës, fillimisht me motrën dhe më pas me shoqen e saj. Ata kanë theksuar se problemet nuk lidhen me marrëdhënien e Xhuanës me Fizin, por me ndërhyrjen dhe presionin e familjes së ish-bashkëshortit.
Më 9 mars, Eraldo Fizi i shkon pranë pallatit ku banonte Xhuana. Ajo zbret së bashku me shoqen, e cila qëndron pak dhe më pas ngjitet në banesë. Gjatë kohës që kanë qëndruar bashkë, dyshohet se Xhuana është dhunuar në mënyrë barbare nga ish-bashkëshorti. Pas kësaj, e lodhur dhe në gjendje të rënduar psikologjikisht, ajo kthehet në apartament rreth orës 3 të mëngjesit.
Rreth orës 7 të mëngjesit, pasi shoqja e saj është larguar për në punë, Xhuana dyshohet se ka konsumuar fostoksinë dhe ka shkruar një letër lamtumire për familjen. Ajo ka telefonuar motrën që jeton në Angli për t’i treguar për aktin ekstrem. Motra, e shqetësuar, ka njoftuar shoqen dhe pronarin e banesës, i cili ka thirrur menjëherë ambulancën dhe policinë.
Autoritetet po hetojnë mënyrën se si Xhuana ka pasur akses në fostoksinë, pasi deri rreth orës 3 të mëngjesit kishte qenë me ish-bashkëshortin. Hetimet përfshijnë edhe dyshime për veprimet e Eraldo Fizit, i cili aktualisht ndodhet në arrati. Sipas familjarëve, Xhuana nuk vuante nga depresioni dhe nuk kishte marrë trajtim mjekësor.