Politikë

Ylli Manjani: Se di pse Ina Zhupa u mërzit që Braçe e krahasoi me ruset, ato janë femra të bukura

Debati mes demokrates Ina Zhupa dhe socialistit Erion Braçe u shoqërua me ofendime dhe çoi në bojkotin e socialistëve dhe më pas mbylljen e seancës plenare.

Duke analizuar këto zhvillime të së enjtes në Parlament, Ylli Manjani tha se këto debate ishin mëse normale për parlamentin për më tepër i kishin munguar seancave plenare pasi sipas tij politika ka tre vite që merret me SPAK-un.

“Situata në parlament është krejt normale, sepse kemi tre vjet që merremi me SPAK, për arrestime, hyri-doli, përgjimi etj. Për herë të parë pas tre viteve në prag të zgjedhjeve politike të paktën po merremi me politikë.

Pastaj, kur ka ndodhur që parlamenti të ketë fjalor etik? Gjithmonë kështu ka qenë, por këtu jemi në një situatë pak specifike, pasi së pari po bëhet një betejë shumë e madhe, ama të paktën është me politike kjo situatë se të flasësh per SPAK-un”, tha Manjani në Euronews.

Sipas tij PS bëri kalkulimet gabim me rritjen e pensioneve ku në vend që të kënaqte pensionistët shkaktoi zemërim te ta.

“Pas një qeverisje të gjatë PS kishte ardhur në një qetësi olimpike për të hyrë në zgjedhje dhe e sigurtë që do ta merrte dhe mandatin e katërt dhe nisën të bëjnë rritjen e pensioneve, por që u rezultoi një minë me sahat, që shkaktoi shumë pakënaqësi.

Dhe Rama u detyrua të shpikë bonusin për pensionistët. Ka një elment të dytë, që dalja e Sali Berishës nga izolimi politik i jep një energji shtesë asaj pjese të opozitës që ka mbetur, që është opozita zyrtare, dhe Sali Berisha është një punëtor elektoral, jo dosido, dhe kjo e bën lojën më interesante. Kjo shpjegon gjuhën e përplasjes në parlament dhe nevojën për një parlament pak më luftarak.

Punëtori më i mirë politik i Partisë Socialiste, Erion Braçe detyrohet të përdorë këtë lloj fjalori, shpjegon sikletin që ka PS. Unë lexoj Erion Braçen, testi është ai, është ndër deputetët më punëtor që ka PS dhe shquhet si një nga debatuesit më të zjarrtë në Parlament dhe përgjithësisht ka qenë njeri etik.

Fakti që shkon në këtë lloj gjuhe do të thotë që PS e ka një siklet. Sa i përket përmbajtjes së batutës, duke i thënë ruse, unë mendoj se Ina Zhupës i ka bërë një kompliment sepse ruset janë shumë të bukura”, e mbylli fjalën e tij Manjani.