Në një kohë kur policia dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit shfaqen të pamëshirshme ndaj qytetarëve të thjeshtë që guxojnë të rregullojnë një gardh apo të hapin një dritare pa lejen përkatëse, një tjetër standard duket se aplikohet për korporatat e mëdha financiare. Një rast flagrant i zaptimit të hapësirës publike ka dalë në dritë në qendër të Tiranës, ku Raiffeisen Bank ka shndërruar një sipërfaqe prej 70 metrash katrorë në një pronë private të paligjshme, duke sfiduar hapur rregullat e urbanistikës dhe bashkëjetesën me komunitetin.
![]()
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në pjesën e pasme të godinës që lidh dy nga akset kryesore të kryeqytetit, Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit. Në këtë lagje autoktone tiranase, banka ka vendosur të zgjerohet përtej mureve të saj, duke “gëlltitur” trotuarin që u përket këmbësorëve për ta kthyer atë në një depo teknike në qiell të hapur. Brenda kësaj hapësire të rrethuar me hekura, institucioni ka vendosur sisteme masive kondicionimi dhe gjeneratorë të rëndë, duke krijuar një lloj “getoje industriale” që jo vetëm bllokon kalimin, por u ka nxirë jetën banorëve me zhurmën dhe nxehtësinë që prodhojnë këto pajisje.
![]()
Edhe pse ligji dhe leja e ndërtimit duhet të jenë parime të shenjta për një institucion që pretendon korrektësi dhe integritet, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë ka konstatuar se i gjithë ky investim është kryer pa asnjë dokumentacion ligjor. Pas ankesave të shumta të banorëve të revoltuar, IMT ndërhyn duke gjobitur bankën dhe duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të trotuarit. Megjithatë, në vend të reflektimit, Raiffeisen Bank zgjodhi rrugën e gjyqësorit për të mbrojtur zaptimin. Beteja ligjore përfundoi vetëm pak javë më parë, kur Gjykata i dha përfundimisht të drejtë IMT-së, duke vulosur faktin se banka ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe duhet të paguajë gjobën përkatëse.
Ajo që mbetet tejet e dyshimtë dhe e pashpjegueshme në këtë histori është verbëria e qëllimtë e institucioneve kontrolluese. Ndërsa qeveria mburret me monitorimin e territorit përmes satelitëve Albania 1 dhe 2, mbetet mister se si këta “sy” në hapësirë nuk arritën të diktonin një rrethim metalik prej 70 metrash katrorë në mes të Tiranës. Po ashtu, mungesa e reagimit nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake gjatë kohës që kryhej ky ndërtim pa leje, ngre hije të forta dyshimi për një tolerim të qëllimtë ndaj të fortëve të ekonomisë, ndërsa dora e ligjit mbetet e rëndë vetëm mbi supet e hallexhinjve. Tashmë që Gjykata ka folur, mbetet vetëm të shihet nëse fadromat do të veprojnë me të njëjtën shpejtësi si në rastet e tjera për t’ua kthyer trotuarin qytetarëve.