Zbardhen detaje mbi ndryshimet që mazhoranca socialiste po përgatit në Kodin e Procedurës Penale, ndërhyrje që pritet të kufizojë ndjeshëm mundësinë e pezullimit nga detyra për funksionarët e lartë shtetërorë. Me këtë nismë ligjore, kryeministri Edi Rama duket se jo vetëm synon të mbrojë kabinetin e tij pas rastit Balluku, por edhe të përjashtojë veten nga çdo mundësi pezullimi në të ardhmen.
Nisma vjen në një moment kur Gjykata Kushtetuese u nda 4 me 4 dhe nuk arriti të japë një vendim për kërkesën e qeverisë lidhur me ndërhyrjen ose jo të SPAK-ut në kompetencat e ekzekutivit, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Pikërisht ky vendim ka shërbyer si shtysë për paralajmërimin e Ramës se mazhoranca do të kërkojë zgjidhje përmes ndryshimeve ligjore.
Për momentin është përjashtuar ngritja e një grupi të posaçëm pune me juristët e Grupit Parlamentar Socialist, ndërsa përgatitja e ndryshimeve i është besuar ministrit të Drejtësisë, Besford Lamallari. Fokus i ndërhyrjes do të jetë neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, i cili rregullon masën e “pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”, thuhet aktualisht në nen.
Por sipas “Top Channel”, neni do të ndryshojë në këtë formë: “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.
Pra Rama, duket se shpëton veten, por fut në listë dhe kreun e KLSH, Presidentin, Avokatin e Popullit dhe Guvernatorin.
Me këtë ndërhyrje, mazhoranca synon t’i japë fund debatit politik dhe juridik mbi kompetencat e SPAK-ut dhe rolin e gjykatave në raport me pushtetin ekzekutiv, duke argumentuar se pezullimi i funksionarëve kushtetues cenon funksionimin normal të institucioneve.
Kryeministri Rama ka bërë të ditur gjithashtu se mazhoranca nuk do të nxitojë të shqyrtojë në Kuvend kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe miratimin e masave të tjera të sigurisë, si arresti me burg apo arresti në shtëpi. Sipas tij, pas pezullimit nga detyra, Prokuroria e Posaçme mund të vijojë hetimet pa pengesa, ndërsa trajtimi i kërkesave parlamentare “nuk ka asnjë urgjencë”.
Në reagimet e tij publike, Rama ka theksuar se funksionet kushtetuese janë të padelegueshme dhe se pezullimi i tyre paralizon institucionin që ato përfaqësojnë. Duke iu referuar deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ai ka argumentuar se gjyqtarët janë shfaqur unanimë për problemin, edhe pse të ndarë në rrugëzgjidhje.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për rastin Balluku ende nuk është zbardhur, ndërsa mbetet e paqartë se kur ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale do të depozitohen zyrtarisht në Kuvend dhe do të futen në kalendarin parlamentar për diskutim dhe miratim.