Politikë

Zbardhen prapaskenat e shkarkimeve në Vlorë: Dredha kërkesë për dorëheqje, Rama i erdhi në ndihmë

Gjergji Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak në Vlorë, ka zbardhur prapaskenat dhe thotë se largimi i drejtorëve nga Bashkia e Vlorës ditën e djeshme ishte një veprim që i erdhi në ndihmë kryebashkiakut Ermal Dredha.

Sipas tij, kërkesa për dorëheqjen e disa prej drejtorëve ishte bërë nga vetë Dredha që para 2-3 muajsh, por ata nuk kishin pranuar të largoheshin.

“Ky ishte një paralajmërim i gjatë,” tha Nika, duke shtuar se ka mbi 1.5 vite që ka kërkuar një reformim të thellë të administratës në Bashkinë e Vlorës, e cila sipas tij, nuk ka ndryshuar që nga kohët e drejtimeve të mëparshme, me Gjikën, Lelin dhe Dredhën.

Ai theksoi se problemi kryesor për Dredhën ka qenë presioni politik dhe lokal që është ushtruar mbi të, duke penguar largimin e drejtorëve.

“Shumë prej tyre kanë influencat dhe ndërhyrjet e veta, që kanë bërë që të mos japin dorëheqjen,” tha Nika. Sipas tij, ardhja e kryeministrit Rama në Vlorë ishte për të mbështetur Dredhën dhe për të dërguar një mesazh të qartë: reforma në administratë do të realizohet, pavarësisht presioneve apo interesave.

Gjergji Nika përfundoi duke theksuar se me këtë veprim Rama tregoi se ai është i gjithë pushteti  si brenda Partisë Socialiste, ashtu edhe në shtet. “Në vend që kjo të bëhej në mënyrë më të butë, u ndërmorr një veprim i ashpër,” tha Nika, duke nënvizuar nevojën e domosdoshme për reformim të Bashkisë së Vlorës.