Me një mesazh në rrjetet sociale, ikona e socialistëve në mandatin e katërt, deputetja Zegjine Çaushi me siguri është nisur t’i tregojë publikut se ka pasur një ditë të ngjeshur pune në parlament, atje ku natë e ditë mundohen për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Por në statusin e fundit, nuk i ka shpëtuar dot një gafe trullosëse.
“Kuvend – Sot në Komisionin e Ligjeve miratuam kalendarin e punës dhe shqyrtuam 3 projektligje të rëndësishme:
• Aderimi në Traktatin e Singaporit për Ligjin e Markave Tregtare
• Ratifikimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë me Turqinë
• Aderimi në Traktatin e Najrobit për mbrojtjen e Simbolit Olimpik
Një hap tjetër drejt një Shqipërie më moderne dhe më pranë Europës” shkruan Zegjineja në Facebook.

Problemin e ka në fund të statusit, kur deputetja shpall se këto akte të Singaporit, Nairobit dhe Turqisë, tani jemi një “hap më pranë Europës”.
Nëse nuk ka ndryshuar ende harta e botës, Singapori ndodhet në Azi, Nairobi në Afrikë, ndërsa Turqia prej dekadash endet në korridoret e Brukselit pa arritur të bëjë ndonjë hap para. Shumica e ndjekësve e ka duartrokitur këtë kombinim ekzotik traktatesh. Të tjerë, kanë nisur të bëjnë batuta se këto mund të të çojnë kudo në glob, përveçse më afër Bashkimit Europian.
“Ju Kam zili per nder ju Kam zili .. sa her shof ty kujtohem qe kot Kam ber shkollen” shkruan një komentues.
Një tjetër po aq ironik, e korrigjon: “Turqinë Europa nuk e pranon qysh moti. Singapori dhe Nairobi nuk janë në Europë. Më intereson me e ditë se çfarë logjike ka të ban me traktatat dhe me “hapin” drejt Europës?”
Çorientimi i busullës së Zegjine Çaushit është një fenoment me të cilin jemi mësuar në rrjetet sociale, por dëmin më të madh e ka bërë Edi Rama, që fillimisht fitoi zgjedhjet me kartën e integrimit, pastaj u përplas me BE për Ballukun dhe tani busullën e rrugëtimit drejt BE e ka flakur fare.