Kulturë

Zëri që ‘frikësonte’ festivalet! Redon Makashi kujton episodin komik me Aleksandër Gjokën

Që prej vitit 1989, Redon Makashi nisi të shfaqej në festivalet shqiptare duke ndërtuar me kohën një karrierë si një prej kantautorëve më të spikatur. Në një rrëfim për programin “Rudina” në Tv Klan, ai kujton sesi skena e tij e parë ishte liqeni, ku bashkë me miqtë e tij, provonin të këndonin në anglisht.

Ishte koha përpara krijimit të grupit “3 Muskëtierët”, por takimi me Aleksandër Gjokën tashmë kishte ndodhur. Madje, artisti kujton edhe sesi asokohe zëri i Aleksandër Gjokës konsiderohej i pazakontë, ndërsa sjell ndërmend një episod gazmor.

Redon Makashi: Sandrin e kam takuar në vitet ’80.

Rudina Magjistari: Si konsiderohej Sandri me atë zërin e vet sepse unë kam përshtypjen që pikërisht ngaqë kishte atë lloj zëri nuk e pranonin nëpër festivale se ishte një zë imperialisto-revizionist. Nuk pranohej zëri i Aleksandër Gjokës.

Redon Makashi: Më kujtove një rast kur ishim në një aktivitet dhe këngëtarët prezantonin njëri-tjetrin dhe ishte Kozma Dushi, prapa Kozmait ishte Sandri që do të këndonte dhe prezantimi që bën Kozmai “tani le të ftojmë një këngëtar me zë perëndimor.”

Rudina Magjistari: Besoj ky ka qenë ‘mallkimi’ i Aleksandër Gjokës në ato vite.