Kronikë

Zjarri shkrumboi fermën me 319 kokë bagëti, dëmi ekonomik deri në 100 mln lekë! Pronari: Po na ndihmoi shteti mirë, ndryshe do e mbyllim!

Zjarri i rënë në fermën e bagëtive në fshatin Barbullojë të Lezhës, ka shkaktuar dëme të shumta materiale dhe ekonomike.

Sipas fermerit Gjin Toma, kanë ngordhur 310 bagëti të imëta dhe 9 gjedhë. Demi ekonomik i shkaktuar kap vlerën e 90-100 milionë lekëve të vjetra.

Shkak i zjarrit dyshohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike, ndërsa fermeri apelon për ndihmë nga auoritetet vendore.

“Në orën 5 të pasdites dje ka rënë zjarri këtu në fermë nga shkëndija e korrentit. Dyshoj te korrenti edhe për shkak të amortizimit. Më ka djeg 270 dele, vetëm një shpëtoi dhe 40 qingja. Gjithashtu dy lopë dhe 7 viça. Stalla është 130 metra katrorë. Kurse tjetra shpëtoi se erdhi zjarrfikësja dhe e shpëtoi stallën tjetër.

Ishte era e fortë dhe prej saj. Dëmi shumë i madh është por s’kemi ç’ti bëjmë. Ne i kemi bërë të gjitha, po na ndihmoi mirë, po s’na ndihmoi s’kemi çfarë të bëjmë. Kam 12 vjet që merrem me këtë, ne NIPT e me dokumente. Po na ndihmoi shteti do i bëjmë përsëri, po nuk ndihmoi do t’i heqim edhe këto që kemi”, shprehet fermeri.

Pas raportimit të ngjarjes ditën e djeshme, dy mjete zjarrfikëse janë nisur me personelin përkatës. Për shkak të përmasave të zjarrit, është kërkuar ndihmë edhe nga bashkitë Kurbin, Mirditë dhe Vau Dejës, për mjete dhe forca shtesë. Por pavarësisht shuarjes së flakëve, dëmi ishte i konsiderueshëm.