Sport

Zyrtare/ Shfaqja duhet të vazhdojë! Hansi Flick merr vendimin për të ardhmen e tij

Barcelona ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me trajnerin gjerman Hansi Flick, duke i besuar drejtimin e skuadrës deri në verën e vitit 2027.

Lajmi u bë publik përmes kanaleve zyrtare të klubit, me një mesazh simbolik: “The show must go on.”

Pas javësh spekulimesh dhe diskutimesh të brendshme për të ardhmen e pankinës blaugrana, drejtuesit e klubit kanë vendosur të qëndrojnë besnikë ndaj projektit të Flick, duke i dhënë atij kohë dhe besim për të ndërtuar një skuadër konkurruese, në përputhje me identitetin historik të klubit katalanas.

Flick, i cili erdhi pas një periudhe të vështirë për Barcelonën, ka fituar vlerësime për stilin e tij të disiplinuar dhe përpjekjet për të integruar të rinjtë e akademisë në formacionin bazë, duke fituar dhe La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës në sezonin e tij të parë.

Me rinovimin deri në 2027, Barcelona jep një sinjal qartësisht afatgjatë dhe stabiliteti – në një moment kur klubi po përpiqet të rikthehet në majat e futbollit europian.