Shqipëria do të ketë një regjistër të posaçëm për ekzekutimin dhe vjeljen e gjobave të vendosura ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Referuar vendimit të qeverisë të publikuar në Fletoren Zyrtare, regjistri do të shërbejë si një Sistem i Qendërzuar i Mbledhjes së Gjobave. Institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore në këtë regjistër do të jetë Inspektorati i Përgjithshëm. Të dhënat që përmban Regjistri për Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave ndahen në të dhëna parësore dhe në të dhëna dytësore.
Konkretisht në të dhënat parësore përfshihet numri unik i identifikimit të gjobës, ndërsa në të dhënat dytësore, janë të dhënat personale të gjeneruara nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për individin që ka marrë gjobën, që nga emri, datëlindja, vendbanimi, etj, Sistemi elektronik i gjobave të Policisë së Shtetit, që përfshin të dhënat për të gjitha gjobat e makinave dhe masat e tjera për shkelje të rregullave të qarkullimit;
Sistemi e-Inspektim, ku përfshihen gjobat e vendosura nga Inspektorati Qendror dhe ai vendor; Sistemi elektronik e-DPSHTRR për të dhënat që lidhen me të dhënat teknike të mjetit, duke përfshirë numrin e regjistrimit; numrin e identifikimit të mjetit; llojin/tipin e mjetit; markën; etj; Regjistri elektronik i tatimpaguesve i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, i cili përfshin të gjitha të dhënat për tatimpaguesit, nga numri i NIPT, tek adresa e subjektit apo emri i administratorit.
Të dhënat e Regjistrit për Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave përditësohen periodikisht nga struktura përgjegjëse, sa herë është e nevojshme apo ka ndryshime të këtyre të dhënave.
Baza e të dhënave të Regjistrit për Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave ndërvepron nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave me bazën e të dhënave shtetërore si Regjistri tregtar; Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; Sistemi elektronik i gjobave të Policisë së Shtetit; Sistemi e – Inspektimi; Sistemi elektronik e-DPSHTRR; Regjistri elektronik i tatimpaguesve; Regjistri i pronarëve përfitues.
Pagesa e gjobave do të bëhet online në portalin e -Albania nëpërmjet shërbimit të dedikuar elektronik, i ndërlidhur me platformën e pagesave elektronike, si dhe me mandatpagesë.
