Pas masakrës së mikrokredive, shteti kujtohet të vendosë fre; gjoba deri në 50 mln lekë për piramidat financiare
Pas skandalit të madh të mikrokredive, ku mijëra qytetarë u përballën me bllokime llogarish, sekuestrime pronash dhe detyrime që rëndoheshin nga interesa, penalitete e kosto përmbarimore, qeveria ka përgatitur një projektligj që synon të vendosë rregulla më të forta për institucionet financiare jobanka në Shqipëri.
Ministria e Financave ka hedhur për konsultim projektligjin “Për ushtrimin e veprimtarisë të institucioneve të kreditit dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të tyre”, i cili përfshin një kapitull të posaçëm për këto kompani, duke përcaktuar kufizime për blerjen dhe mbledhjen e kredive me probleme, detyrime ndaj klientëve dhe masa ndëshkuese që arrijnë deri në 50 milionë lekë.
Nisma vjen pas një periudhe kur sektori i mikrokredisë u vu në qendër të akuzave për praktika abuzive, interesa të larta dhe presion financiar ndaj huamarrësve. Megjithëse institucionet financiare jobanka licencoheshin dhe mbikëqyreshin nga Banka e Shqipërisë, skandali i MCA tregoi se kontrolli nuk kishte arritur të parandalonte praktika që, sipas hetimeve të prokurorisë, kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme për qytetarët.
Rasti më i rëndë ishte ai i “Micro Credit Albania” (MCA) dhe kompanisë “Final”, të përfshira në hetimin për një skemë të dyshuar mashtrimi me kreditë e këqija. Sipas prokurorisë, kompani financiare dhe zyra përmbarimore kishin bashkëpunuar për të ushtruar presion mbi debitorët, duke përdorur bllokimin e pagave, llogarive bankare dhe pasurive për të detyruar shlyerjen e borxheve apo marrjen e kredive të reja.
Në një prej rasteve të publikuara nga hetimi, një qytetari i ishin bllokuar 14 pasuri të paluajtshme për një detyrim prej rreth 348 mijë lekësh. Prokuroria përshkroi gjithashtu një mekanizëm ku qytetarëve u kërkohej të merrnin hua të reja për të shlyer detyrimet e vjetra, ndërsa kostot dhe pretendimet financiare vijonin të rëndonin mbi ta.
Si MCA ka dhe shumë kompani të tjera në treg, që zhvatin qytetarët me interesa të larta, presione e shantazhe.
Pikërisht tregu i blerjes dhe mbledhjes së kredive me probleme është një nga fushat ku projektligji i ri ndërhyn më drejtpërdrejt.
Neni 318 përcakton se kompanitë e licencuara për blerjen e kredive të këqija mund të kryejnë veprimtari që lidhen me administrimin, rikuperimin, rinegocimin dhe informimin e kredimarrësit për detyrimin e blerë. Ato nuk mund të përdorin këtë licencë për të dhënë kredi të reja.
Kufizimi më i rëndësishëm lidhet me shumën që mund t’i kërkohet qytetarit. Sipas projektligjit, këto kompani nuk mund të aplikojnë interesa, penalitete apo tarifa më të larta se ato që parashikoheshin në marrëveshjen fillestare të kredisë.
Kjo dispozitë synon të pengojë rëndimin e detyrimeve përmes kushteve të reja financiare të vendosura nga kompania që ka blerë kredinë. Në praktikë, blerja e një borxhi nga një institucion tjetër nuk duhet të shërbejë si mundësi për t’i shtuar huamarrësit kosto që nuk burojnë nga kontrata fillestare.
Një tjetër ndryshim prek transparencën e kredive. Neni 317 detyron institucionet financiare jobanka t’u japin klientëve informacion të plotë për normat e interesit, tarifat, komisionet dhe kushtet kontraktuale. Kompanitë duhet t’i publikojnë këto kosto dhe të respektojnë mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë e klientëve.
Dispozita synon t’i japë fund praktikës ku qytetari njihet me koston reale të huas vetëm pasi ka nënshkruar kontratën ose kur përballet me vështirësi në shlyerje. Megjithatë, projektligji nuk vendos në këtë nen një tavan të ri numerik për interesat e mikrokredive; ai forcon detyrimin për transparencë dhe respektimin e kushteve kontraktuale.
Ndryshime parashikohen edhe në mënyrën se si këto institucione marrin licencën dhe kontrollohen më pas. Banka e Shqipërisë do të përcaktojë kërkesat për kapitalin minimal, burimin e fondeve, strukturën e pronësisë, përshtatshmërinë e aksionarëve dhe drejtuesve, si dhe sistemet e kontrollit të brendshëm.
Kompanitë do të duhet të marrin miratim paraprak për ndryshime të rëndësishme, përfshirë zgjerimin e aktivitetit, ndryshimet në pronësi dhe emërimin e drejtuesve. Po ashtu, do të jenë të detyruara të raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë sipas kërkesave dhe afateve që përcakton autoriteti mbikëqyrës.
Projektligji i jep Bankës së Shqipërisë kompetenca për të kryer inspektime në vend, për të kërkuar dokumentacion dhe për të urdhëruar korrigjimin e shkeljeve. Institucionet jobanka do të duhet të mbajnë dokumentacion për çdo transaksion kredie, përfshirë marrëveshjen, të dhënat e kredimarrësit, garancitë dhe vendimin për miratimin e huas.
Por ndërhyrja më e fortë lidhet me ndëshkimet.
Neni 325 përfshin shprehimisht praktikat abuzive ndaj klientëve ndër shkeljet për të cilat Banka e Shqipërisë mund të marrë masa. Në këtë kategori hyjnë gjithashtu ushtrimi i veprimtarive të palicencuara, shkelja e rregullave të administrimit të rrezikut, raportimet e pasakta, problemet serioze në kontrollin e brendshëm dhe pengimi i mbikëqyrjes.
Sipas nenit 326, masat mund të nisin nga urdhërimi për ndërprerjen e veprimeve të paligjshme dhe detyrimi për korrigjimin e problemeve, deri te largimi i drejtuesve dhe vendosja e gjobave. Sanksionet financiare parashikohen nga 50 mijë deri në 50 milionë lekë, në varësi të shkeljes.
Në rastet më të rënda, Banka e Shqipërisë mund të pezullojë një ose disa veprimtari të kompanisë. Gjatë pezullimit, subjekti nuk mund të lidhë kontrata të reja për aktivitetin e ndaluar. Projektligji parashikon gjithashtu revokimin e licencës, duke i hequr kompanisë të drejtën për të vazhduar ushtrimin e veprimtarisë financiare.
Një tjetër element është regjistri publik i institucioneve financiare jobanka. Banka e Shqipërisë do të duhet të publikojë dhe përditësojë listën e subjekteve të licencuara, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të verifikojnë nëse një kompani ka të drejtë të ofrojë shërbimet përkatëse.
Megjithatë, rregullat e reja nuk do të thonë se çdo problem i krijuar nga mikrokreditë zgjidhet automatikisht. Projektligji nuk parashikon faljen e borxheve ekzistuese dhe as fshirjen e detyrimeve që janë objekt mosmarrëveshjesh apo procesesh gjyqësore.
Ai nuk vendos gjithashtu një ndalim të përgjithshëm të kredive me interesa të larta. Kufizimi i shprehur për interesat, penalitetet dhe tarifat lidhet posaçërisht me kompanitë që blejnë dhe mbledhin kredi me probleme, të cilat nuk mund të rëndojnë kushtet e marrëveshjes fillestare.
Pas skandalit MCA, ku u ngritën pikëpyetje serioze edhe për efektivitetin e mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, projektligji synon të forcojë kontrollin mbi një treg që prek drejtpërdrejt qytetarët në vështirësi financiare.
Nëse miratohet, kuadri i ri do t’i japë Bankës së Shqipërisë instrumente më të qarta për të ndëshkuar abuzimet. Por prova vendimtare do të jetë zbatimi: nëse kontrollet, gjobat dhe heqja e licencave do të përdoren në kohë, përpara se një kredi e vogël të kthehet sërish në një barrë shkatërruese për qytetarët. /Pamfleti
