Aktualitet

Rritet çmimi i naftës në Shqipëri, Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja për karburantet

Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve në vend, duke rritur çmimin e naftës dhe benzinës.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e sotme, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën do të jetë 210 lekë për litër, nga 205 lekë që ishte më parë. Kështu, nafta shtrenjtohet me 5 lekë për litër.

Edhe benzina pëson një rritje të lehtë. Çmimi i saj maksimal me pakicë është përcaktuar në 165 lekë për litër, nga 164 lekë që ishte në fuqi deri më tani.

Ndërkohë, çmimi i gazit për automjetet mbetet në 71 lekë për litër në shitjen me pakicë.

Njoftim për Shtyp

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 12 Nëntor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 165 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 153 lekë/litër.
Cmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.
Gjithashtu, çmimi i gazoilit për aktivitetin e peshkimit do të jetë 114 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 12 ora 18.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.