Gjeniu shqiptar, Loris Qose shënon një tjetër sukes, 15-vjeçari nga Cërriku fiton medaljen e 12-të, kësaj radhe në Histori-Gjeografi
Gjeniu shqiptar nga Cërriku, Loris Qose ka shënuar një tjetër sukses. 15-vjeçari ka fituar medaljen e 12-të, kësaj radhe në fushën Histori–Gjeografi.
Mësohet se Qose është vlerësuar me çmimin Gold Award për projektin kërkimor “Harmonia e Kozmosit: Arkitektura Hapësinore dhe Mekanika Orbitale e Sistemit tonë Diellor”.
Lajmin e bukur e ka bërë vetë me dije Lorisi i cili përmes një postimi të bërë së fundmi në Instagram, ai ka ndarë emocionet për këtë arritje. Ndërsa ka falenderuar publikisht mbikëqyrësen e projektit, Denada Canaj, si dhe akademikët Mimoza Hafizi dhe Elisabeta Peti për mbështetjen dhe orientimin shkencor.
As në këtë postim, Loris nuk e ka harruar mësuesen e matematikës, Flutura Hoxholli, e cila u bë krahu i tij i djathtë nëpër olimpiada ku ai ka shënuar sukses që në ditën e parë.
“Më në fund, medalja e 12-të zgjodhi të ishte prej ari! ????
Kam kënaqësinë të ndaj fitimin e Gold Award në ASEF 2026, në kategorinë Histori–Gjeografi, me projektin kërkimor:
“Harmonia e Kozmosit: Arkitektura Hapësinore dhe Mekanika Orbitale e Sistemit tonë Diellor”.
Pas një periudhe të gjatë pune, përkushtimi dhe sfidash, ky vlerësim përfaqëson një motivim të rëndësishëm në rrugëtimin tim akademik.
Mirënjohje e veçantë për mbikëqyrësen time, MSc. @denada.canaj , për mbështetjen dhe orientimin e vazhdueshëm.
Falënderoj gjithashtu Prof. Dr. Mimoza Hafizi dhe Prof. Dr. Elisabeta Peti, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, për kontributin dhe këshillat shkencore, si dhe mësuesen time të matematikës, MSc. Flutura Hoxholli, për mbështetjen dhe këshillimin gjatë këtij projekti.
Si pjesëmarrësi im i parë në ASEF dhe një nga angazhimet e mia të para kërkimore shkencore, kjo përvojë ka qenë jashtëzakonisht e vlefshme.
Një medalje më shumë, por mbi të gjitha, një hap më tej drejt dijes dhe kërkimit shkencor.”, shkruan Loris.
Kujtojmë se nxënësi i shkollës “7 Marsi” në Cërrik është shpallur më herët fitues i vendit të parë në Matematikë dhe vendit të tretë në Kimi në olimpiadën ndërkombëtare “Neo Science Olympiad”, të zhvilluar në Orlando të SHBA-së.
Medalja e tij e 12-të konfirmon një tjetër arritje në rrugëtimin në fushën e dijes dhe kërkimit shkencor.
