SHQIPTARËT NUK PO LINDIN MË/ Ekspertët: Familjet përballen me vështirësi ekonomike dhe kosto
Rënia e lindjeve në Shqipëri po thellohet, ndërsa Tirana regjistron tkurrje gati dy herë më të lartë se mesatarja kombëtare. Kostoja e lartë e jetesës, çmimet e banesave dhe pagat e pamjaftueshme po i bëjnë çiftet e reja të shtyjnë vendimin për të pasur fëmijë. Ekspertët kërkojnë politika mbështetëse për familjet dhe rritje të të ardhurave për të frenuar këtë tendencë.
Kostoja e lartë e jetesës po i detyrojnë çiftet e reja të shtyjnë vendimin për të pasur fëmijë. Kjo prirje po reflektohet edhe në Tiranë, ku rënia e lindjeve është pothuajse dy herë më e lartë se mesatarja kombëtare.
Sipas INSTAT, në nëntë muajt e parë të vitit 2026, lindjet në kryeqytet ranë me 8 për qind, me 647 bebe më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa në rang vendi rënia ishte 4.7 për qind.
Sociologia Entela Binjaku e lidh këtë fenomen me vështirësitë ekonomike, kostot e rritjes dhe edukimit të fëmijëve, por edhe me emigrimin e të rinjve në moshë riprodhuese.
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Ergis Sefa, thotë se një çift në Tiranë ka nevojë për mbi 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj për të përballuar një jetë normale, kosto e konsiderueshme në raport me pagat në vend, që ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrjen e familjeve të reja.
Përballë kësaj situate, Sefa propozon subvencione financiare per familjet por thekson se zgjidhja kryesore mbetet rritja e pagave dhe ndryshimi strukturor i ekonomisë.
Ndërkohë, rënia e lindjeve nuk është e kufizuar vetëm në kryeqytet. Gjirokastra kryeson me tkurrjen më të madhe, 11.6 për qind, ndërsa Dibra dhe Kukësi regjistruan rritje.
Shifrat tregojnë se përqendrimi i të rinjve dhe mundësive të punësimit në Tiranë nuk mjafton për të frenuar rënien e lindshmërisë, për sa kohë siguria ekonomike dhe kushtet për krijimin e familjes mbeten një sfidë.
