Politikë

Akuzat, Blushi nxjerr SMS-në e vitit 2019: Ambasadorët u koordinuan me Ramën për Kushtetuesen, presion Metës për Arta Vorpsin

Tedi Blushi akuzoi sot ambasadorët amerikanë dhe europianë se u koordinuan me Edi Ramën për t’i bërë presion Ilir Metës në vitin 2019, gjatë përplasjes për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka bërë publik një mesazh që, sipas tij, dëshmon se diplomatët kërkonin që Meta të pranonte Arta Vorpsin, ndërsa Marsida Xhaferllari të konsiderohej për një vend tjetër në Kushtetuese.

Mesazhi, sipas Blushit, është dërguar më 11 nëntor 2019 nga një ambasador europian, një ditë pasi Meta kishte pritur në Presidencë përfaqësues të ambasadave të angazhuara në Reformën në Drejtësi.

“Mirëmëngjes Beni. I takova kolegët e mi amerikanë dhe të BE dhe folëm me Ramën në telefon dhe nuk e mbështesin pozicionin e presidentit për pezullimin. Ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues dhe ata do të dalin sot publikisht dhe kemi rënë dakord që unë do të njoftoja më parë për këtë gjë”, thuhet në mesazh.

Në të, diplomati shkruan se ambasadorët e konsideronin Arta Vorpsin të emëruar në Gjykatën Kushtetuese përmes mekanizmit zhbllokues dhe se do ta bënin publik qëndrimin e tyre.

“Rama megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e presidentit për nominim për tjetrën. Rama nuk do përpiqet të bllokojë këtë”, shkruhet në SMS.
Blushi e cilëson këtë një përpjekje për t’i imponuar Metës një marrëveshje politike: të pranonte emërimin e Vorpsit dhe, në këmbim, të mos pengohej kandidatura e Xhaferllarit për një vend tjetër në Gjykatën Kushtetuese.

Asokohe, përplasja mes Presidencës dhe mazhorancës u përshkallëzua pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga Ardian Dvorani, e renditi Arta Vorpsin të parën në listën e kandidatëve. Pas kalimit të afatit 30-ditor, ajo u konsiderua automatikisht e emëruar, por Meta e kundërshtoi procedurën dhe dekretoi Marsida Xhaferllarin.

Më 14 nëntor 2019, Vorpsi kreu betimin para një notereje, pasi Meta nuk e thirri për t’u betuar në Presidencë. Sipas Blushit, e gjithë kjo ishte pjesë e një skenari për të marrë kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, ku ai akuzon drejtpërdrejt Ramën, ish-kreun e KED-së, Ardian Dvorani, dhe diplomatët e përfshirë në komunikim.

Publikimin e mesazhit Blushi e lidh edhe me procesin gjyqësor ndaj Metës, duke pretenduar se kryeministri po ndikon në drejtësi dhe se gjykimi po zhvillohet pa transparencë.

Ai kërkon që SPAK dhe Gjykata e Posaçme të hetojnë plotësisht edhe çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA, ndërsa njofton se Meta ka paraqitur 103 kërkesa procedurale për procesin gjyqësor.

Postimi i plotë e Tedi Blushi:

Sot për herë të parë do të bëjmë publike provën që konfirmon kërcënimin e ushtruar ndaj presidentit të Republikës, Ilir Meta, nënëntor të 2019, për emërimet e bëra në Gjykatën Kushtetuese.

Publikimi i kësaj prove është detyrim ndaj të vërtetës, e veçanërisht kur seancat gjyqësore ndaj tij, zhvillohen me urdhër të Edi Ramës në kushte errësire dhe bunkerizimi që cënojnë transparencës.

Konflikti institucional mes Metës dhe Ramës lidhej drejtpërdrejt me përpjeket për të ndikuar emërimet në Gjykatën Kuhstetuse.

Në qendër të debatit ishte manipulimi me qëllim që Ardian Dvorani, asokohe kryetar i Këshillit të emërimëve në drejtësi  i bëri procesit të emërimëve nëe Kushtetuese, përmes një skenari mafioz që jo vetëm e la Shqipërinë për tre vite pa kushtetuesen, por dhe synonte rrëmbimin e plotë të gjykatës nga Rama.

Për përzgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, Meta në përputhje me kompetencat që i njihte kushtetuta emëroi Marsida Xhafellarin. Ndërsa mazhoranca socialiste, këmbënguli në skenarin mafioz të rrëmbimit të Kushtetutës, dhe kërkonte të emëronte me forcë Arta Vorpsin.

Më 11 nëntor të 2019, Vorpsi kreu aktin skandaloz, në vend që të betohej para Presidentit, ajo kreu betimin para një notereje private.

Më 10 nëntor të 2019, Meta priti në Presidencë drejtuesit e ambasadave më të angazhuara për reformën në drejtësi. Gjatë takimit Meta informoi ambasadorët për zhvillimet dhe shqetësimet serioze në lidhje me veprimet kriminale antikushtetues të Edi Ramës.

Si dëshmitar i drejtpërdrejt i këtij takimi ju konfirmoj se ambsadorët bënë të paditurin dhe shprehën gatishmërinë që të ndërhyhej.

Meta iu drejtua Dvoranit për të respektuar radhën e emërimeve, këto shkresa zyrtare u ishin drejtuar dhe ambasadave të SHBA-së.

Të nesërmen, më 11 nëntor të 2019, teksa Meta ishte në Francë në Forumin e Parisit për paqen, mbërriti një mesazh kërcënues nga një ambasador europian, që përcillte qëndrimin e ambasadorëve dhe kërkesën për t’ia komunikuar paraprkaisht qëndrimin e tyre presidentit.

Nëpërmjet presionit mafioz, Metës i kërkohej rrëmbimi i anëtarëve të Kushtetueses.

Meta e përmendi këtë kërcënim gjatë seancës për tre arsye:1- Ai nuk ka pranuar kurrë presionin e paligjshëm për të shkelur Kushtetutën, që Rama të kapte sistemin gjyqësor. Por ka çmontuar çdo përpjekje për të manipuluar këtë proces.

Së dyti Meta e përmendi kërcënimin për t’i kujtuar gjyqtarëve të Edi Ramës se cili është fundini atyre që përdoren prej tij. Me dashje apo në kushtet e presionit.

Së treti presidenti Meta rikujtoi mesazhin kërcënues për t’i vënë në vëmendje gjykatës dhe SPAK-ut hetimin, për të vërtetuar tërësisht çështjen e lobimit në SHBA-së, pa përjashtuar asnjë fakt apo person për zbardhjen e të vërtetës.

Në vitin 2024 autoritetet amerikane kanë prasnuar se nga Meta nuk është konstatuar asnjë shkelje e as lobim i paligjshëm në SHBA.

Akuzat, Blushi nxjerr SMS-në e vitit 2019: Ambasadorët u koordinuan me