Kronikë

Aksidenti tragjik në Xibër i mori jetën Maltina Feratit, reagon Universiteti i Tetovës: Do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë

Maltina Ferati është mjekja nga Tetova që humbi jetën në një aksident tragjik të shtunën në Xibër, pranë Tunelit të Murrizit. Ferati udhëtonte si pasagjere në njërin prej dy automjeteve që u përplasën me njëri-tjetrin.

Mësohet se ajo punonte si specialiste e biokimisë mjekësore dhe kryeshefe e laboratorit në Spitalin e Tetovës. Gjithashtu ajo ishte e angazhuar në Universitetin e Tetovës si asistente dhe specialiste e Biokimisë Medicinale.

Lidhur me ngjarjen tragjike ka reaguar në rrjetet sociale Universiteti i Tetovës, ku ka shprehur ngushëllime për familjen e Feratit, miqtë dhe të afërmit e saj. Në reagim ata e kanë kujtuar si kolege të përkushtuar, bashkëpunëtore dhe hulumtuese shkencore të suksesshme.

Postimi i plotë:

Ka momente, ngjarje dhe lajme tragjike për të cilat askush prej nesh nuk do të dëshironte të informohej. Ne, në Universitetin e Tetovës, jemi thellësisht të tronditur nga lajmi për ndarjen tragjike nga jeta, pas një aksidenti, të asistentes sonë, specialistes së Biokimisë Medicinale, Dr. Maltina Feratit.

Komuniteti i pedagogëve dhe i studentëve ndan dhimbjen e thellë me familjen Ferati, miqtë, të afërmit e saj, si dhe me opinionin e gjerë.

Dr. Maltina do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e institucionit tonë si kolege e përkushtuar, bashkëpunëtore dhe hulumtuese shkencore e suksesshme.

Angazhimi dhe kontributi i saj në Universitetin e Tetovës kanë lënë gjurmë të çmuara në veprimtarinë arsimore dhe shkencore.

Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, duke ndarë me të dhimbjen për këtë humbje të parakohshme.

U prehtë në paqe!

Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti

Rektor i Universitetit të Tetovës.