Sport

Pas barazimit me Spanjën, Alban Bushi: Një ndeshje që të motivon, që të jep shpresë

Kombëtarja shqiptare e U21 mori një barazim me vlera në miqësoren e luksit ndaj Spanjës, një prej skuadrave më të mira në Evropë. Trajneri i kuqezinjve, Alban Bushi, foli pas ndeshjes për kanalet zyrtare të fshf duke shprehur kënaqësinë e tij dhe duke vlerësuar në maksimum sforcon e bërë nga futbollistët e tij në këtë përballje

‘Dua të falënderoj djemtë, stafin, patjetër tifozët, publikun sepse na përkrahën kishin ardhur shumë, sidomos djemtë sepse vrapuan shumë, luftuan shumë. E dinim që me një ekip si Spanja duhet të vraposh dmth të japësh edhe pikën e fundit të djersës. Kishim momentet tona për t’i ndëshkuar, nuk i ndëshkuam. Ndikoi pak edhe lodhja në ndeshjen me Luksemburgun, për sulmuesit sidomos sepse kishte momente hapësirash që mund t’i kapnim më shpejt, por gjithsesi ata dhanë maksimumin dhe kanë bërë në perfeksion ato gjëra që i kemi bërë dhe në stërvitje. Pra, nuk i kemi dhënë absolutisht moment asnjë mundësi shënimi. Përveç një rasti që ka pasur Spanja, nuk na kanë hyrë asnjëherë në zonë, që Spanja dihet që kombinon shumë bukur. Për këtë duhet t’i falënderoj për atë që dhanë në fushë djemtë’-tha Bushi

Për trajnerin e Kombëtares U21, grupi që ka në dispozicion është shumë i mirë, me një dëshirë e pasion e zemër për të fituar çdo ndeshje

‘Ky është një grup shumë i mirë, është një grup shumë i mirë sepse i dimë limitet tona, limitet tona nuk mund t’i krahasojmë me të Spanjës. Ata dihet që janë më të forta se ne, por ne jemi më të fortë se ata në fushë, duke luftuar, duke bërë maksimumin, duke luftuar për shokun, duke sakrifikuar dhe marrim një rezultat pozitiv. Unë mendoj që ky grup do të jetë kështu me kaq dëshirë, kaq shumë pasion e kaq zemër për të fituar çdo ndeshje, sepse nuk është vetëm kjo ndeshje. Ne kemi luajtur edhe me Italinë, jemi mundur 1-0, kanë luajtur shumë mirë. Kemi luajtur edhe me Gjermaninë, duke parë se u mundëm 2-0 ekipi ka qenë mirë, kompakt. Por sot zoti të shpërblen në kuptimin e asaj që atë që punuam në stërvitje i zbatuam me përsosmëri’ -shtoi Bushi

Sipas Bushit, sfida me Spanjë është nga ato ndeshje që të motivon dhe të jep shpresë.

‘Është një ndeshje që të motivon, një ndeshje që të jep shpresë, duke menduar dhe duke bërë po të njëjtën gjë, duke luajtur me kaq disiplinë dhe me kaq zemër të madhe. Në momentin që ne nuk kemi disiplinë ose luajmë jo dhe me aq forca sa kemi brenda, ka shumë probleme. Mendoj se atmosfera ishte shumë e mirë, në Air Albania është kënaqësi të luash. Në ndeshjen me Spanjën, kishin ardhur shumë tifozë, na mbështetën, mendoj që në ndeshjet e marsit t’i bëjmë sërish këtu dhe të kemi sa më shumë fitore-tha trajneri i Kombëtares U21.