Policia vijon operacionin për lokalizimin e jahtit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit, ndërsa pritet një njoftim i detajuar pas përfundimit të veprimeve hetimore. Policia ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e regjistruar mbrëmjen e sotme në Dhërmi, ku u raportuan të shtëna me armë zjarri nga një jaht në det, përballë Palasës.
Sipas njoftimit, menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues, ndërsa nga toka po kryhen kontrolle nga efektivët e Komisariatit të Policisë Himarë dhe Stacionit të Policisë Dhërmi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, ndërsa dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.
Autoritetet bëjnë me dije se operacioni është ende në zhvillim dhe se, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, do të jepet një informacion më i plotë mbi rrethanat e ngjarjes.
Kliko për të parë videon: Pamje nga ngjarja
“Rreth orës 21:00 është njoftuar se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.
Njëkohësisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.
Vijon ndjekja e mjetit lundrues, me qëllim verifikimin e informacionit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në përfundim të operacionit për ndalimin e jahtit dhe të veprimeve të para hetimore do të jepet informacion i plotë për rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

