Kulturë

Flet aktori i mirënjohur “Artisti i Merituar” Birçe Hasko: Njeriut dhe shejtanit, po s’ugjete punë, të hapin punë…!

– Në jetë tek njerëzit gjen humor të vrerosur, humor cinik dhe humor të shëndetshëm

– Keni shumë të drejtë ne kuajt, nga ju gomerët, këtë ndryshim kemi, vëmë pafka

Intervistoi: Baxhul Merkaj

“Artisti i Merituar” Birçe Hasko u lind në Dukat të Vlorës në vitin 1942. Në vitin 1961 përfundoi shkollën e mesme pedagogjike, ndërsa në vitet 1961- 1963 punoi si mësues në rrethin e Tepelenës. Në vitet 1964-1969 e deri më sot, punon si pedagog në Akademinë e Arteve, dega aktrim.

Në vitin 1989 ka marrë titullin e lartë “Artist i Merituar”, ndërsa në vitin 1995, ka marrë edhe titullin “Profesor”.

Ka inskenuar 17 vepra, dhjetëra etyde e fragmente ka interpretuar 33 role në filma artistikë dhe 10 role, në teatër. Interpretimi i tij i fundit ka qenë ai në filmin “I dashur mik”. Artistin e skenës dhe të filmit, profesorin Birçe Hasko, e takoj në një nga mjediset e Teatrit Kombëtar. Ky institucion dhe Akademia e Arteve është ushqimi i shpirtit për të. Të befason shkathtësia, zhdërvjelltësia e lëvizjeve, plastika e fytyrës si dhe intonacioni i zërit të tij, i cili dhe kur është ulur në tavolinë për të pirë një kafe të bën për vete me humorin e hollë që përdor në bisedë me miqtë, shokët. Por, është për të thënë se Birçja ka shumë miq, sepse shpirtin e ka flori. Humori i tij është humor që burimin e ka atje ku buron burimi, tek fjala e mençur e popullit, banaliteti i takon rrugës dhe jo skenës”, shprehet ai. Po duke e pasur pranë le të shpalosim para lexuesit bashkëbisedimin që zhvillova me të.

– Ç’është humori për Birçe Haskon?

– Në jetë tek njerëzit gjen humor të vrerosur, humor cinik dhe humor të shëndetshëm. Gogoli thotë: “Humorit i trembet dhe horri i horrave…!”,  pra, humori i shëndetshëm ka një rol të madh edukues.

– Po juve vetë, nga ju burojnë batutat humoristike?

Për të qenë në gjendje të bësh humor, së pari duhet të krijohet atmosfera, e cila kryesisht krijohet midis miqsh, shokësh, të afërmish, kolegësh dhe midis njerëzve të thjeshtë të popullit. Me urdhër nuk bëhet asgjë, çdo gjë që është art dhe humor ka natyrë të tillë.

– Për shembull?

– Zbriti një fshatar në Vlorë. Atëherë fshatarët vinin pafka, në majë dhe në fund të këpucëve. Plaku ecte në bulevard i veshur me kostum kombëtar e me tirqe dhe këpucët me pafka ia bënin krram, krram”. Nja dhjetë të rinj aty pranë filluan ta ngacmonin plakun”. ”Hajde kalë, hajde…!”. Atëherë plaku iu afrua dhe u tha: ”Keni shumë të drejtë. Ne kuajt, nga ju gomerët, këtë ndryshim kemi. Vëmë pafka….!”.

– Çfarë e dëshpëron artistin Hasko?

Mungesa e sinqeritetit dhe hipokrizia.

– Keni takuar shumë njerëz të tillë?

– Eh, njeriu është i barabartë me shejtanin. Njeriut dhe shejtanit, po s’ugjete punë, të hapin punë…!

– Hapat e para në rrugën e artit…?

– Kur isha mësues në vitet 1961-1963 në Memaliaj, hyra në skenë me grupin amator të minierës. Një ditë pas shfaqjes më kërkon një njeri i panjohur dhe më fton në tavolinë. Më lëshon përpara një vazo komposto: ”Dëgjo, more…!”, filloi bisedën i panjohuri. Pashë shfaqjen dhe dua të të uroj”.

– Më falni, por nuk ju njoh, – i thashë i habitur. “Jam inxhinier miniere, kam mbaruar shkollën me vëllanë tënd në Poloni. Më pëlqen loja jote skenike, prandaj shko në konkurs të arteve”. Imazhi im në atë kohë për këtë shkollë ishte se aty duheshin djem dhe vajza të bukura, ndaj nuk e vura ujin në zjarr nga fjalët që më tham iku. Pas tremuajsh kishim përsëri shfaqje. Përsëri më thonë se të kërkon një njeri në restorant. Ishte po ai, inxhinieri. “Dëgjo djalë, më ke një vazo komposto borxh” – më thotë”. – Jam vërtet inxhinier minierash, por jam i dashuruar pas artit”. Inxhinieri vijoi një bisedë të ngrohtë për artin dhe më mbushi mendjen për t’u paraqitur në konkurs. Konkurrova dhe fitova…!

– Arti kinematografik ka qenëpër ty aq i dashur sa dhe skena, ç’kujton nga ditët e para të xhirimit?

– Sekuencat e para filmike kanë qenë në filmin “Kur zbardhi një ditë” me regjisorin Pirro Milkani në vitet 1970. Kisha mjaft komplekse. Më ishte prishur gjumi. Shpesh thosha; ”O Perëndi qysh do ia dal..?! Po, për çudinë time gjatë xhirimit të gjithë po qeshnin, po reagonin mbarë.

“Çoç bëkam dhe unë” – thashë. Kjo e qeshur e partnerëve aktorë më dha dorë për t’u liruar nga emocionet gjatë xhirimit. Ky guxim m’u shtua edhe më shumë kur operatori Petraq Lubonja, gjatë interpretimit tim qeshte me çiltërsi dhe më kujtohet shprehja e tij; “Eh, ç’qenke ti…?!”. Ishte specialist i mirë, kishte mbaruar studimet në Rusi.

– Si pedagog i aktrimit, me cilën metodë artistike punon, të Stanislavkit apo tëBrehtit…?

– Jam me realizmin e thellë, sepse dhe vetë ai ka hyrë në çdo shkollë të botës. Shkolla e Stanislavskit është futur, jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikë. Edhe Hollivudi është punë e Stanislavskit.

– Në filmin “I dashur armik”, ju interpretoni rolin e një çifuti….?

– Në film trajtohet bashkëjetesa e njerëzve me bindje të ndryshme politike. Unë luaja rolin e një çifuti, që lufton për të shpëtuar lëkurën e tij. Rolin kryesor në këtë film e luan aktori Ndriçim Xhepa, nëna e shtëpisë është Artistja e Popullit, Margarita Xhepa, ndërsa aktorët e tjerë janë Luiza Xhuvani, Marko Bitraku, Niko Kanxheri, Elidon Fino, Agim Qirjaqi, Lefter Simoni, Piter Loknerjer, actor gjerman, Nina Petri, aktore gjermane dhe Rinordo Roko aktori italian.

– A u prit mirë filmi nga shikuesi…?

– Është ndjekur me interes se ka një trajtim interesant. Kjo është meritë e skenaristit Dhimitër Xhuvani dhe Gjergj Xhuvani, që për mua po krijon portretin e tij si regjisor. Në raport me filmin e tij “Parullat”, kërkesat e tij ishin akoma më profesionale, më të larta. Në Shkodër ku dhe xhiruam u krijua një atmosferë e këndshme midis aktorëve vendas dhe të huaj.

– Ku e gjen artisti Hasko gjithë këtë dashuri njerëzore?

– Dashuria është mikpritje material dhe shpirtërore. Unë këto i kam nga fshati im. Dukati është fshat mikpritës dhe së dyti nga familja ime. Familja jonë ka qenë familje që ka dhënë bukë…!

– Mund të më shpjegosh se përse regjisorët ju afrojnë gjithmonë role në filmat e tyre?

– Çdo artist, në krijimtari nuk ka të ngopur po pati shëndetin dhe talentin. Në skenë dhe gjatë xhirimeve duhet të jesh mirë fizikisht. Unë kërkohem në film dhe teatër e kjo tregon se u nevojitem të tjerëve, pra, kam akoma për të thënë. Thesi ka akoma miell…!

– Çfarë mendimi keni për gjininë e komedisë?

– Sot prirja është të vihen sa më shumë komedi. Po brenda kësaj ka dy qëllime. Edhe kënaqet spektatori, por edhe fitohet para madje shpesh dominon kjo e dyta dhe kjo ka lejuar që aty këtu të mbizotërojë banaliteti që nuk është në natyrën e kombit tonë. Banaliteti i takon rrugës dhe jo skenës…!

– Në cilët filma e ke ndier veten më mirë…?

– Me të gjithë regjisorët e kam ndier veten mirë për një arsye të thjeshtë, sepse unë kam ditur t’i dëgjoj dhe më kanë respektuar se më kanë dëgjuar. Kjo dy anshmëri ka dhënë rezultate të mira. Në rolin e Osmanit tek filmi “Malet me blerim mbuluar”, Në rolin e Mete Aliu tek filmi “Radiostacioni”, në rolin e Refatit tek filmi “Vitet e pritjes” mendoj se jam pritur mirë nga artdashësit dhe në këta filma e kam ndier veten mirë.

– A të kujtohet në këto moment ndonjë grimcë humoristike?

Çdo i mençur e thotë një budallallëk dhe çdo budalla e thotë një fjalë të mençur… Ja ç’i ka ndodhur një njeriu. E caktuan lajmës dhe e nisën për në shtëpinë e vajzës së cilës do t’i kërkonin dorën. Kur ai u nis miqtë, ia shtruan me raki e mish. Prit e prit të vijë lajmësi, kaluan nja dy orë dhe ata e thane rakinë dhe mezet. Lajmesi  erdhi pas nja tre orësh dhe pa që tashmë mezet kishin mbaruar. “Hë e mbarovepunën…? -e pyetën lajmësin. Po, po e mbarova, 50% quhet e mbaruar. Po si 50 përqind?’, “Po ja, 50 %se palajonë do, po pala e atyre nuk do…!”.

– Ç’është arti…?

– Arti ka një detyrë shumë fisnike, sepse ndikon në tre drejtime tek njeriu. Në intelekt, në djenja dhe në ndërgjegje. Në rast se ndikon njëherësh në të treja kryen një detyrë madhore…!

– Estetikisht çfarë e shqetëson artistin Hasko?

– Dëshiroj të theksoj se në punën me artin skenik si dhe me artet e tjera ka ikur kontrolli ideologjik dhe u bë mirë, por në këto kushte, ama, nuk dëshiroj që të marr arratinë dhe kontrolli artistik. Pa këtë që thashë vështirë se do të bëjmë përpara për t’iu përgjigjur nivelit të spektatorit edhe kohës në të cilën jetojmë.