Këshilli i Lartë Gjyqësor është kujtuar të reagojë pas sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqësorit.
Kreu i qeverisë ka nisur një sulm frontal ndaj gjyqtarëve që vendosin kundër institucioneve shtetërore, duke i anatemuar në rrjetet sociale. Dje Rama sulmoi gjyqtarin e radhës, Ligoraq Toshi, teksa para tij të njëjtën gjuhë përdori edhe ndaj Hazbi Balliut dhe Klarent Demirit.
KLGJ ka reaguar sot, duke kërkuar nga politika që të ndalin deklaratat që cenojnë figurën e gjyqtarit. Por bie në sy fakti se KLGJ nuk ka guxur t’i përmendë emrin Edi Ramës dhe deklarata vjen”pas pilafit”.
“Këshilli ju bën thirrje gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse.
KLGJ në përputhje me kompetencat kushtetuese, shpreh mbështetjen e plotë ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe përpjekjeve të tyre të përditshme në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të interesit publik. Po ashtu i inkurajon ata të ushtrojnë funksionin e tyre, në mënyrë të përgjegjshme dhe të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm”, shprehet KLGJ.
Reagimi i plotë
Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke marrë shkas nga deklaratat e fundit të subjekteve publike apo private, rithekson edhe njëherë se deklarata të tilla cënojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke ju nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Në një shtet të së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve përbën parim themelor dhe gjyqtari ushtron funksionet në mënyrë të pavarur, duke vlerësuar faktet dhe interpretuar ligjin, i lirë nga çdo ndikim i jashtëm.
Këshilli ju bën thirrje gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse.
KLGJ në përputhje me kompetencat kushtetuese, shpreh mbështetjen e plotë ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe përpjekjeve të tyre të përditshme në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të interesit publik. Po ashtu i inkurajon ata të ushtrojnë funksionin e tyre, në mënyrë të përgjegjshme dhe të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm.
Në një shtet të së drejtës – i cili sot është më pranë se kurrë aspiratës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian – vetëm përmes një sistemi gjyqësor të pavarur mund të sigurohet barazia para ligjit dhe një drejtësi efektive, e cila meriton besimin e publikut.
