Konfirmohet i infektuari i parë me malarie në Shqipëri
Autoritetet shëndetësore në vend kanë konfirmuar deri më tani të paktën një rast të sigurt të prekjes nga malaria, një sëmundje infektive e cila prej dekadash është çrrënjosur nga harta endemike e Shqipërisë.
Janë shtetase amerikane vajzat të cilat janë kthyer nga një udhëtim në Kamboxhia. Aktualisht, ato ndodhen të shtruara në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT, ku po marrin kujdesin e duhur mjekësor.
Nga një grup prej katër të rinjsh që mbërritën në spital me dyshime për infeksionin, vetëm dy prej tyre rezultuan pozitivë pas analizave laboratorike. Pacientët u paraqitën në gjendje të rëndë, të shoqëruar me simptoma të theksuara: Temperaturë e lartë trupore, ethe dhe lodhje ekstreme, probleme gastrointestinale (diarre).
Sipas mjekëve të QSUT-së, gjendja shëndetësore e dy vajzave është përmirësuar ndjeshëm, duke u stabilizuar dhe tashmë ato janë jashtë rrezikut për jetën. Bluzat e bardha sqarojnë se qytetarët nuk duhet të panikosen, pasi malaria nuk transmetohet nga njeriu te njeriu. Infeksioni përhapet ekskluzivisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave të infektuara.
Për herë të fundit, malaria është regjistruar në Shqipëri katër vite më parë, periudhë gjatë së cilës u konfirmuan 18 raste pozitive të importuara.
