Sport

Kukësi refuzon Flamurtarin, ankand për dy brazilianët. Ja çmimi i vendosur për Mejdanin e Lamellarin

Kukësi arriti të sigurojë mbijetesën në Kategorinë e Parë falë një mundësie të dytë që iu krijua pas zbritjes së Bylisit. Verilindorët fituan finalen shtesë ndaj Butrintit, duke shmangur rënien në Kategorinë e Dytë dhe duke ruajtur statusin e tyre.

Menjëherë pas sigurimit të mbijetesës, drejtuesit e klubit nisën punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri. Lëvizja e parë ishte rinovimi i kontratave me disa nga futbollistët më të rëndësishëm, kryesisht të huajt e afruar gjatë merkatos së janarit. “Panorama Sport” mëson se Kukësi është kthyer në një nga klubet më të vëzhguara në këtë merkato, pasi disa ekipe synojnë të afrojnë lojtarët që spikatën në pjesën e dytë të sezonit. Megjithatë, drejtuesit verilindorë nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë nga futbollistët e tyre, të cilët janë të lidhur me kontrata afatgjata. Sipas burimeve të gazetës, Flamurtari ka shfaqur interes konkret për dy mesfushorët brazilianë Paulinjo dhe Mateus Alison.

Të dy futbollistët rinovuan kontratat më 1 qershor edhe për dy sezone të tjera dhe ishin ndër protagonistët kryesorë në mbijetesën e Kukësit, falë golave dhe asistimeve të tyre. Gazeta mëson se Flamurtari ka paraqitur edhe ofertën e parë zyrtare për dy brazilianët, por ajo është refuzuar nga Kukësi. Arsyeja lidhet me vlerën e ulët të ofertës, pasi klubi verilindor kërkon një shumë të konsiderueshme për kartonët e tyre. Interesimi nuk vjen vetëm nga Flamurtari, pasi për Paulinjon dhe Alisonin kanë shfaqur interes edhe tri skuadra të Kategorisë së Parë dhe dy klube të Superiores. Praktikisht, për këtë dyshe është hapur një ankand i vërtetë, ndërsa Kukësi synon të përfitojë maksimalisht nga një transferim i mundshëm. Interes konkret ka edhe për futbollistë të tjerë të skuadrës.

“Panorama Sport” mëson se oferta nuk kanë munguar as për portierin Bespallov dhe dyshen e mbrojtjes Mejdani-Llamellari. Megjithatë, drejtuesit kanë vendosur një çmim të qartë për largimin e tyre, duke kërkuar mbi 250 mijë euro për kartonët. Ndërkohë, përveç rinovimeve të realizuara në fillim të qershorit, Kukësi ka zyrtarizuar edhe afrimin e parë të kësaj vere. Bëhet fjalë për sulmuesin Devit Demircani, i cili pritet të jetë një nga armët ofensivë të ekipit në sezonin e ri.