Kronikë

Rrahën brutalisht 17-vjeçaren në Fier, Policia: Reaguam menjëherë! 15-vjeçarja u dërgua për trajtim të shëndetit mendor pasi u denoncua nga nëna e saj, e dhunoi edhe atë

Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e bërë publike dy ditë më parë ku disa vajza dhunonin brutalisht një tjetër të re në qytetin e Fierit. Burime për mediat konfirmojnë se lidhur me këtë ngjarje e cila është regjistruar një muaj më parë, konkretisht më datë 8 qershor, Prokuroria e Fierit ka kërkuar procedimin në gjendje të lirë të tre vajzave që dhunuan të renë dhe filmuan këtë akt të shëmtuar.

Mësohet se gjithçka ka nisur kur vajzat të moshave 15 dhe 19 vjeç i kërkuan 17-vjeçares që të sqarojnë një bisedë mes tyre në ambientet e një banese. Mirëpo ky “takim sqarimi” përfundoi me dhunë, ku të reja tërhoqën për flokësh dhe goditën me shuplaka dhe grushte adoleshenten.

Ky fakt është konfirmuar së fundmi edhe nga Policia e Fierit të cilët përmes një reagimi zyrtar kanë sqaruar këtë ngjarje e cila ka tronditur jo pak opinionin publik.

“Nisur nga sensibiliteti i lartë publik i krijuar pas publikimit në rrjetet sociale të videos së një ngjarjeje të ndodhur më datë 08.06.2026, si dhe pas reagimeve dhe interesit të madh të qytetarëve në drejtim të adresave zyrtare dhe rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Fier e konsideron të nevojshme të risqarojë opinionin publik mbi masat e marra dhe veprimet e kryera nga strukturat e Policisë në lidhje me këtë rast, dhe më konkretisht:

Më datë 08.06.2026, një shtetase 17 vjeçe është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier, së bashku me nënën e saj, dhe ka kallëzuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e shtetases L. L., 19 vjeçe, nga kjo e fundit dhe dy shtetase të tjera 15-vjeçare.

Menjëherë pas kallëzimit të së miturës, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë vlerësuar maksimalisht denoncimin dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, në përputhje me parashikimet ligjore.

Në vijim të veprimeve hetimore, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë shtetasja L. L., 19 vjeçe, si dhe 2 shtetaset e mitura 15-vjeçare, të cilat deklaruan se kishin ushtruar dhunë ndaj shoqes së tyre, shtetases së mitur 17 vjeçe, për motive të dobëta.

Në përfundim të veprimeve, më datë 09.06.2026, materialet procedurale i’u referuan Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të 3 shtetaseve të mësipërme”, njofton Policia, teksa ka bërë me dije më tej se disa ditë pas kësaj ngjarje një tjetër denoncim ka mbërritur në Komisariat pikërisht për një nga vajzat e përfshira në sherr.

Ka qenë vetë nëna e 15-vjeçares që dhunoi adoleshenten ajo e cila ka denoncuar në Polici vajzën e saj duke thënë se e kishte “rrahur” edhe atë.

“Gjithashtu, sqarojmë se, më datë 28.06.2026, nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në koordinim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është arrestuar njëra nga 15-vjeçaret e përfshira në dhunimin e 17-vjeçares. Arrestimi u bë pas kallëzimit të nënës së 15-vjeçares, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga vajza e saj, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Pas procedurave përkatëse dhe bazuar në vlerësimin e autoriteteve kompetente, 15-vjeçarja e arrestuar është dërguar për trajtim në një institucion shëndetësor të specializuar për shëndetin mendor, në Tiranë”, sqaron Policia.