Aktualitet

“Serbia në prag të luftës civile”, Enver Bytyçi: Destabilizimi i rajonit rrezikon edhe Kosovën e Shqipërinë

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar tensionet e fundit në Serbi, ku prej muajsh po zhvillohen protesta masive kundër presidentit Aleksandar Vuçiç.

Sipas Bytyçit, situata është e jashtëzakonshme dhe po i afrohet kufirit të një lufte civile. “Mbështetësit e Vuçiç po përleshen me studentët protestues. Këto skena nuk kanë ndodhur as në Shqipëri kur u rrëzua monumenti i diktatorit, ndërsa në Serbi mbrojnë një diktator përmes dhunës. Mjafton një shkëndijë dhe askush nuk e di si mund të përfundojë,” u shpreh ai.

Eksperti paralajmëroi se çdo destabilizim në Serbi do të ndikojë drejtpërdrejt në rajon. “Çdo zhvillim negativ në Serbi reflektohet menjëherë në Shqipëri dhe Kosovë, duke pasur pasoja në procesin e integrimit evropian,” tha Bytyçi.

Ai shtoi se skenari i përplasjes politike në Serbi lidhet edhe me lojërat gjeopolitike. “Në momentin kur po diskutohet paqja në Ukrainë, ekziston mundësia që Kremlini, së bashku me Vuçiç dhe Dodik, të nxisin destabilizim në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Serbia kurrë nuk ka mbajtur përgjegjësi për genocidet në Kosovë dhe Bosnje, dhe kjo mungesë përgjegjësie po e thellon krizën,” theksoi Bytyçi.