Shqipëria po zbrazet, Koçeku ngre alarmin: Nga miqtë e fëmijërisë time, askush nuk ka mbetur në Shqipëri
“Sipas projeksioneve demografike të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2025–2100, Shqipëria rrezikon të humbasë rreth 57% të popullsisë së saj”, shkruan deputetja e pavarur Marjana Koçeku në rrjetin X. Shqetësimin për rënien e popullsisë dhe plakjen e shoqërisë shqiptare, Koçeku e shpreh jo vetëm përmes statistikave, por sjell edhe një dëshmi personale të një brezi që u rrit në Shqipëri dhe po e ndërton të ardhmen larg saj.
“Mosha mesatare e popullsisë, që në vitin 2006 ishte rreth 29 vjeç, sot, në vitin 2026, ka arritur në 45 vjeç. Këto janë statistikat. Por për mua dhe shumicën e shqiptarëve, pas këtyre numrave janë njerëzit me të cilët jemi rritur. Nga shkolla ime 9-vjeçare, di që ka mbetur vetëm një vajzë në Shqipëri. Nga gjimnazi, vetëm dy. Nga shoqëria e fëmijërisë së hershme, asnjë. Një brez i tërë që e ka fëmijërinë këtu, por të ardhmen diku tjetër”, shkruan Koçeku.
Pas shifrave të emigracionit, rënies së lindshmërisë dhe plakjes së popullsisë, fshihet një realitet që nuk matet vetëm me statistika: shkolla që mbeten pa nxënës, shoqëri fëmijërie që shpërbëhen dhe breza të tërë që largohen pa e kthyer më vendin e lindjes në shtëpinë e tyre. Koçeku e zhvendos diskutimin nga demografia te përgjegjësia politike. Ajo ngre pikëpyetje mbi kuptimin e përfaqësimit dhe të vendimmarrjes politike në një vend ku gjithnjë e më shumë qytetarë e ndërtojnë jetën jashtë kufijve.
“Votën po ua marrim shqiptarëve. Po Shqipërinë për kë po e bëjmë, kur shqiptarët nuk po janë më në vendin e tyre?”, shkruan Koçeku, me një pyetje që nuk kërkon përgjigje vetëm për shifrat e vitit 2100. Ajo kërkon përgjigje për Shqipërinë e sotme, për arsyet që i shtyjnë të rinjtë të largohen dhe për një të ardhme që rrezikon të ndërtohet gjithnjë e më shumë pa njerëzit që duhet ta jetojnë.
