Kronikë

Skandal në Shtëpinë e Fëmijës në Shkozet, kujdestaret dhunojnë të miturin

Emisioni investigativ “Stop”, këtë të mërkurë, më 6 maj, trajtoi sërish denoncimin e zonjës Aishe Kapri, gjyshja e një fëmije 3-vjeçar, që ndodhet në Shtëpinë e Foshnjës në Shkozet, rast i transmetuar më herët në “Stop”, më 28 prill.

Ajo tha se djali i saj është dënuar me burg dhe ka lënë pas katër fëmijë, të vendosur në institucione shtetërore, pasi gjykata ka vlerësuar se e ëma nuk është e aftë të kujdeset për ta.

Gjyshja ka kërkuar të marrë në kujdestari nipin e saj të vogël, por kërkesa i është refuzuar për shkak të kushteve ekonomike.

Në këtë institucion, një sanitare tregoi se fëmijët keqtrajtohen dhe dhunohen.

“Sa herë që dilja në korridor të gjitha punonjëset më kërcënonin. Aishe futu brenda, mos dil jashtë, mos shih, mos bëj kështu. Nuk duhet të shihja ushqimet që ato vidhnin. Ushqimet që sillnin njerëzit, ato i vidhnin të gjitha sillnin njerëzit, aty vidhen të gjitha. I dhunonin, i pickonin, i binin me kitare në mënyrë barbare. Kisha frikë të merrja një gjë, t’jua nxirrja përpara se do më thoshin mos i jep për të ngrënë.”

Sipas saj, 3-vjeçari është parë me shenja të dyshimta, të cilat ajo i ka fotografuar dhe ia ka raportuar drejtoreshës së institucionit.

Ajo thotë gjithashtu se i është kërkuar të mos informojë gjyshen për situatën. Pas këtyre denoncimeve, ndaj saj është marrë masa e transferimit nga institucioni.

“Erdhi momenti që drejtoresha më hoqi nga puna për rastin e A… Fëmijët e tjerë i pyeta çfarë ka A.., ‘e rrafi Lona te koka bam bam bam.’ Është kujdestarja. Shkova te drejtoresha dhe më tha mos ja trego foton gjyshes.”

Drejtoresha e Shtëpisë së Foshnjës në Shkozet më parë aludoi se fëmija mund të ishte gjakosur vetë.

“Kemi thirrur mjeken e ka vizituar, se thashë ndonjë kapilar, me ndodhi tek një fëmijë tjetër në Durrës dhe u alarmova, se kapilarët, krruajnë hundët se janë më trauma. Hyra unë të data 12 mars, por po i shof avash avash. Po ka pasur dhe herë të tjera gjakderdhje.”

Pasi “Stop” u rikthye për ta pyetur në lidhje me pamjet e kamerave, ajo i mohoi akuzat për dhunë ndaj fëmijëve.

“Me syrin e dyshimin e kam parë. Nuk shoh gjakderdhje. ”

Menjëherë pas transmetimit, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.

Ndërkohë, denoncime të reja kanë mbërritur në redaksinë tonë lidhur me kualifikimin e stafit.

Nga biseda që “Stop” realizoi me drejtoreshën, ajo pohoi se kujdestaret janë me arsim të mesëm, edukatorja me arsim të lartë dhe njëra infermiere me shkollë, ndërsa infermierja tjetër me kurs profesional.

“Unë i dalloj, që javën e parë e shikoj se si sillet me fëmijën, që nga mënyra se si e ndan një fëmijë, i tërheq krahun, s’i tërheq krahun, i them zonjë s’je për këtë punë, kërkoj dorëheqjen.” /Emisioni STOP