Aktualitet

Supa e ngrirë nga Italia e rrezikshme, autoritetet kërkojnë të mos konsumohet edhe në Shqipëri

Një produkt ushqimor i ngrirë me origjinë nga Italia është përfshirë në një alarm të sigurisë ushqimore në Europë, ndërsa rezulton se është shpërndarë edhe në tregun shqiptar.

Produkti në fjalë është “MINESTRONE 16 Verdure”, paketim 750 gram, me numër loti L03DK dhe datë skadence 30 qershor 2028. Autoritetet kanë kërkuar tërheqjen e tij nga tregu pasi është vlerësuar se paraqet rrezik serioz për konsumatorët.

Alarmi u aktivizua pasi u raportua prania e një trupi të huaj, potencialisht të rrezikshëm, brenda një prej paketimeve. Pas verifikimeve, Sistemi Europian i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF) e klasifikoi rastin me nivelin më të lartë të rrezikut.

Sipas të dhënave të publikuara, produkti është importuar në Shqipëri më 14 maj 2026 nga subjekti “PRONATYRA TREG”. Sasia e importuar është shpërndarë në dy pika shitjeje në Tiranë dhe, në momentin kur u njoftua tërheqja nga tregu, rezultoi se ishte shitur e gjitha.

Autoritetet u kërkojnë qytetarëve që kanë blerë këtë produkt me lotin L03DK të mos e konsumojnë nëse e kanë ende në frigorifer. Ata duhet ta kthejnë produktin në pikën ku e kanë blerë.