Bylisi pritet të ndërtojë një skuadër me një profil ndryshe për sezonin e ri në Kategorinë e Parë. Pas rënies nga Superiorja, drejtuesit mallakastriotë synojnë të nisin një projekt të ri, duke u mbështetur te një kombinim mes futbollistëve me përvojë, të huajve dhe talenteve të dala nga akademia e klubit.
Prej vitesh, Bylisi ka ndjekur politikën e afrimit dhe më pas të shitjes së lojtarëve të huaj, një strategji që pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Edhe sezonin e kaluar, mallakastriotët ishin ndër skuadrat që aktivizuan numrin më të madh të futbollistëve të huaj në elitë. Megjithatë, klubi ka investuar edhe te futbollistët shqiptarë, si dhe te lojtarët e ardhur nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe qytete të ndryshme të vendit. Për sezonin e ri pritet që më shumë hapësira t’u jepen elementëve të ekipit B dhe skuadrës U-19, ku ka lojtarë të talentuar që konsiderohen të gatshëm për të bërë hapin drejt ekipit të parë. Ky model nuk është i ri për Bylisin.
Sezonin e kaluar, futbollistë si Buraneli, Akibu dhe Marku përfituan minuta në Superiore dhe dhanë sinjale pozitive, duke konfirmuar se akademia mund të prodhojë elementë cilësorë. Sipas burimeve pranë klubit, në grumbullimin e parë pritet të marrin pjesë rreth 40 futbollistë, ndërsa java e ardhshme do të jetë vendimtare për të ardhmen e skuadrës. Drejtuesit do të vendosin datën e nisjes së fazës përgatitore, vendin ku do të zhvillohet grumbullimi, si dhe do të zyrtarizojnë trajnerin dhe stafin teknik për sezonin 2026-2027. Puna për ndërtimin e ekipit ka nisur që në mesin e muajit qershor.
Pas largimeve dhe shitjeve të para, klubi pritet të zyrtarizojë rinovime, afrime të reja dhe të ruajë një bërthamë prej 5-6 titullarësh nga sezoni i kaluar. Objektivi është i qartë, rikthimi i menjëhershëm në Superiore. Presidenti Besnik Kapllanaj ka surprizuar shpesh në merkatot e kaluara me afrime të rëndësishme dhe nuk përjashtohet që edhe këtë verë Bylisi të bëjë lëvizje që mund të ndryshojnë ekuilibrat në Kategorinë e Parë.
