Politikë

U largua nga PS-ja, Marjana Koçeku ftohet në Bruksel nga eurodeputetët: Do diskutojmë për protestën dhe korrupsionin

Deputetja Marjana Koçeku ka udhëtuar drejt Brukselit, ku sipas saj është ftuar nga disa eurodeputetë për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe çështje që lidhen me situatën politike dhe sociale në vend.

Koçeku, e cila mori mandatin nën siglën e Partisë Socialiste, por më pas u largua nga kjo forcë politike, ka bërë thirrje që institucionet europiane t’i kushtojnë më shumë vëmendje Shqipërisë dhe problematikave që ajo ngre.

Në një reagim të bërë publik në Facebook, ajo ka theksuar se në takimet në Parlamentin Evropian po diskutohen çështje si mjedisi, protestat e javëve të fundit dhe, veçanërisht, problematika që lidhen me korrupsionin dhe atë që e cilëson si arbitraritet institucional.

“Evropa duhet t’i kthejë sytë drejt Shqipnisë ma shumë se kurrë… do të diskutojmë mbi çështjet mjedisore, protestat e këtyne 30-ditëve dhe problematikat e shumta që po përballet vendi ynë, veçanërisht korrupsionin dhe arbitraritetin e nji pushteti që po kapërcen çdo kufi”, është shprehur ajo.

Kujtojmë që largimi i saj nga Partia Socialiste ka ngjallur mjaft reagime në vend, me sovranin të ndarë në dy kahe për qëndrimin më të fundit të saj. Nga ana tjetër, nga kjo forcë politike i kanë kërkuar dorëzimin e mandatit me arsyetimin se është dhënë pikërisht nga partia në zgjedhjet e 11-majit.