Aktualitet

Vjen surpriza e motit, meteorologia zbulon kur nis shiu në Shqipëri

Shqipëria po përjeton ditët e fundit të valës së të nxehtit afrikan, me temperatura që kanë arritur deri në 42 gradë Celsius në disa zona.

Por, situata pritet të ndryshojë ndjeshëm gjatë kësaj jave, pasi një masë ajrore e freskët nga veriu i Evropës do të sjellë ulje të temperaturave, reshje dhe erë në pjesën më të madhe të vendit.

Në një lidhje direkte për “Ora News”, meteorologia e njohur Lajda Porja, bën me dije se dita e sotme mbetet nën ndikimin e temperaturave ekstreme, me vlera të larta kryesisht në zonat e ulëta dhe jugore.

“Edhe sot na pret një ditë mjaft e nxehtë, jemi ende në ndërtimin e valës së nxehtë afrikane. Shumë qytete të ultësirës perëndimore do të shënojnë temperatura nga 39 deri në 40 gradë, ndërsa priten 41 gradë në qarqet e Gjirokastrës dhe Beratit dhe deri në 42 gradë në zona të izoluara të Elbasanit“,-u shpreh Porja.

Sipas sinoptikanes, temperaturat e larta shoqërohen edhe me net tropikale, ku në shumë qytete vlerat minimale nuk zbresin nën 20 gradë. Zonat malore dhe verilindore do të jenë disi më të freskëta, me temperatura rreth 33-36 gradë.

Ndryshimi i ndjeshëm i motit nis nga dita e mërkurë, kur një masë ajrore e freskët me origjinë nga veriu i Evropës do të depërtojë drejt Ballkanit. Temperaturat pritet të ulen ndjeshëm, duke kaluar nga mbi 40 gradë në rreth 30 gradë në fundjavë.

“Të mërkurën një masë shumë e freskët me origjinë nga veriu i Evropës do të sjellë freskim të menjëhershëm. Nga 41-42 gradë që kemi sot, dita e premte do të sjellë maksimum jo më shumë se 30 gradë, pra një rënie me rreth 12 gradë“,-tha ajo.

Përveç uljes së temperaturave, priten edhe reshje shiu. Rrebeshet do të nisin gjatë natës së të martës në zonat veriore dhe verilindore, ndërsa gjatë së mërkurës dhe të enjtes do të prekin zonat qendrore dhe malore, përfshirë edhe kryeqytetin.

Dita e premte pritet të jetë më problematikja, pasi reshjet e dendura mund të përfshijnë të gjithë territorin, duke prekur edhe zonat bregdetare. Paralelisht me reshjet, era do të jetë prezente duke nisur nga mbrëmja e së martës.

Fundjava do të sjellë një përmirësim të motit, me kthjellime dhe vranësira kalimtare, por me temperatura shumë më të ulëta.