Sport

Kukësi kërkon “revansh” ndaj Kastriotit, tani golat e verilindorëve priten nga… Birçaj

Kukësi e ka lënë pas eliminimin në Kupën e Shqipërisë dhe tani është i përqendruar tërësisht te ndeshjet e kampionatit. Këtë të diel do të luajnë përballë Kastriotit, kundërshtar që i ka shkaktuar humbjen e parë në shtëpi, ndaj do të kërkojnë revansh.

Fitorja ndaj Pogradecit në Kupë tregoi se verilindorëve nuk i mungon potenciali për t’u përballur edhe me ekipe që ndodhen mbi ta në renditje. Të njëjtën gjë, Kukësi do të përpiqet të bëjë edhe ndaj krutanëve. Të gjitha shpresat e teknikut Alfred Allamani janë te sulmuesi kryesor Luis Birçaj. Pas largimit të Mario Beshirajt, “barra” e golave për pjesën e mbetur të sezonit i mbeti 21-vjeçarit, i cili në ndeshjen hapëse të vitit arriti të realizojë një dygolësh duke i dhënë fitoren përballë skuadrës së Pogradecit.

Edhe tre lojtarët e afruar këtë merkato dimri, duket se janë përshtatur menjëherë me ekipin, ku Okseold Sefa debutoi me gol. Rei Pecani luajti menjëherë titullar, ndërsa aktivizim pati edhe për Irgen Hysenajn. Gjithsesi, në këtë përballje Kukësi do të vuajë mungesën e mbrojtësit Geri Selita, i cili ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe do i duhet të qëndrojë një javë larg fushave të blerta. Blutë, në këtë pjesë të mbetur të sezonit, duan të arrijnë gjashtëshen e parë dhe ndeshjet me rivalët direkt janë ato që duhen fituar. Edhe pse kanë larguar dy prej liderëve si Beshiraj dhe Hasaj, në klub besojnë se do të arrijnë me sukses objektivat e vëna.