Vlora Hyseni nën hetim nga SPAK, Esmeralda Hasani merr drejtimin e SHISH. Dekretohet nga Begaj

Vlora Hyseni nën hetim nga SPAK, Esmeralda Hasani merr drejtimin e SHISH. Dekretohet nga Begaj

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dekretuar emërimin e Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Hasani ishte emëruar shefe e Departamentit Mbështetës në SHISH pak kohë më parë nga Hyseni.

Ajo vjen nga një karrierë që ndërthur mësimdhënien universitare, drejtimin e instituteve dhe këshillimin pranë institucioneve qeveritare. Profili i saj publik lidhet kryesisht me të drejtën europiane, projektet e zhvillimit, sigurimin e financimeve dhe politikat për diasporën.

Ajo prezantohet nëpër forume të ndryshme si konsulente e lartë pranë Zyrës së Kryeministrit për planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve. Sipas këtij prezantimi, Hasani është diplomuar në të drejtën ndërkombëtare në Milano dhe ka kryer një master për planifikimin dhe zhvillimin e projekteve në Innovation Business School, në Bruksel. Angazhimi i saj në mësimdhënie përfshin të drejtën europiane dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë periudhës shtator 2015–shtator 2019 ka drejtuar Institutin për Kërkim dhe Zhvillim Barleti, për të kaluar më pas në drejtimin e Institutit Adriapol. Broshura zyrtare e Universitetit Barleti për vitin 2022 e rendit si drejtoreshë ekzekutive të Adriapolit, i angazhuar në kërkim, projekte arsimore, konsulencë dhe iniciativa zhvillimi.

Përvoja në administratën qeveritare përfshin edhe punën pranë ministrit të Shtetit për Diasporën. Në periudhën 2017–2018, Hasani ka shërbyer si këshilltare dhe shefe kabineti. Biografia profesionale i atribuon angazhim në hartimin e projektit për përfshirjen e diasporës shqiptare në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë, si dhe bashkëpunim me misionin e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin për zhvillimin e projekteve.

Përfshirja e saj në strukturat e diasporës dokumentohet edhe nga urdhri i 25 shtatorit 2018, që e emëron në organin drejtues të Agjencisë Kombëtare të Diasporës si përfaqësuese të ministrit të Shtetit për Diasporën.

Në veprimtarinë studimore, Hasani ka trajtuar edhe çështje që lidhen me sigurinë. Ajo është bashkautore, me Edlira Gjolleshin dhe Saimir Kapllanin, e studimit të janarit 2023 për kuadrin ligjor dhe institucional shqiptar kundër ekstremizmit të dhunshëm në hapësirën kibernetike.

Vlora Hyseni nën hetim nga SPAK, Esmeralda Hasani merr drejtimin e SHISH.

Related Articles