Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka kërkuar të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, e parashikuar të mbahet më 14 nëntor.
I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë kërkesë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi se organizatat socialiste nuk duhet të përdoren si mburojë në përballjen me drejtësinë.
Balla theksoi se Veliajn e konsideron mik, por nënvizoi se ai duhet t’i përballojë vetë çështjet e tij me drejtësinë, pa përfshirë Partinë Socialiste.
“Organizatat socialiste nuk janë mburojë në përballjen me drejtësinë. Unë e kam thënë, Erion Veliajn e kam mik, por në përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë në asnjë moment grushtin dhe trëndafilin e PS-së”, u shpreh Balla.
Veliaj ka bërë kërkesë në PS dhe në SPAK për të marrë pjesë në Asamble. A do t’i kërkoni SPAK-ut leje që kryetari i Tiranës të flasë?
Taulant Balla: Kjo është një pyetje që i duhet bërë sekretarit të përgjithshëm. Unë mendoj, dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë. Në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së.”
Kerkesa e Veliajt
Veliaj i është drejtuar SPAK dhe sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi, ku i kërkon që ti garantohet pjesëmarrja fizike ose me videokonferencë nga ambientet e burgut.
Në kërkesën drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Veliaj kërkon të njoftohet zyrtarisht për orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes, si dhe për dokumentet që do të shqyrtohen.
“Pjesëmarrja ime në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi të veçantë, pasi synoj të paraqes personalisht qëndrimet, propozimet dhe kërkesat e mia për çështje që lidhen me funksionimin e Partisë Socialiste, ushtrimin e përgjegjësive të organeve të saj dhe të ardhmen e organizatës politike ku bëj pjesë. Për këto arsye, kërkoj të më mundësohet pjesëmarrja në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 14 nëntor 2026, mundësisht në mënyrë fizike dhe nëse kjo nuk realizohet, nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë audiovizive”, thuhet ne kerkesen e Veliajt.
Ndërkohë në kërkesën drejtuar SPAK, Veliaj thekson se kërkesa nuk synon ndryshimin apo shmangien e masës së sigurisë “arrest në burg”, por vetëm mundësimin e ushtrimit të të drejtave politike dhe statutore pa cenuar kushtet e paraburgimit.
“Kjo alternativë nuk kërkon largimin tim nga institucioni, nuk cenon zbatimin e masës së sigurimit dhe mund të organizohet nën mbikëqyrjen e administratës penitenciare, duke respektuar kushtet ligjore dhe të sigurisë. Theksoj se kërkesa ime nuk synon ndryshimin, pezullimin apo shmangien e masës së sigurimit personal. Ajo synon vetëm gjetjen e një mënyre proporcionale për ushtrimin e një të drejte politike dhe statutore, pa cenuar qëllimet e ligjshme të paraburgimit. Për këtë arsye, kërkoj që çdo kufizim apo refuzim të mbështetet në një bazë konkrete ligjore, të arsyetohet dhe të marrë në shqyrtim mundësinë e pjesëmarrjes në distancë si alternativë më pak kufizuese”.


