Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blenxi Gonxhja, ka qenë sot i pranishëm në Komisionin Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku deklaroi se qeveria ka refuzuar zhvillimin e një koncerti në Shqipëri të këngëtares Jennifer Lopez, për shkak të garancisë së madhe financiare që ajo kërkoi.
“Kemi refuzuar JLo se donte 2 milionë euro garanci nga protesta. Nëse do të ketë protesta donte garanci dhe ne nuk e pranuam”, deklaroi Gonxhja në Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku po diskutohet Akti Normativ i Qeverisë për dhënien e një financimi prej 4,2 milionë eurosh për zhvillimin e koncertit të Kanye West.
Gonxhja mbrojti vendimin e qeverisë për dhënien e shumës për sigurimin e zhvillimit të koncertit, duke thënë se, sipas një vlerësimi paraprak, më së paku në arkat e shtetit janë kthyer 6,5 milionë euro.
DEBATET NË KOMISION
Zhupa: Keni dhënë 4.3 mln euro për një koncert privat kur kishit premtuar që nuk do të jepnit asnjë lekë. Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti të parashikuar? Urgjencë ishte mos shitja e biletave? Cila ishte nevoja për t’u dhënë këto para? Ku është logjika e urgjenca e një koncerti privat? Na sqaroni ku janë ato 100 milionë eurot që do të na vinin për turizmin? Ju paratë i keni dhënë, supozoni sikur parlamenti nuk e miraton, çfarë ndodh z. Gonxhe, do ua kthejë Kanye West?
Gonxhja: Administrata ka vepruar sipas aktit normativ, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Publiku nuk ka nevojë të dijë si funksionon mazhoranca dhe Partia Socialiste, nëse do të kishte mosmbarëvajtje të koncertit dhe koncerti nuk do të ishte realizuar, atëherë do të hynim në pyetjen tuaj si do t’i merrnim lekët etj.
Zhupa: Normal që eventi do të bëhej sepse për atë u kujdesët ju.
Gonxhja: Nëse s’do ketë mbështetje të parlamentin, këtë pyetje bëjeni mbrapa.
Zhupa: Më shpjego pse e morët këtë vendim, pse është nevojë dhe pse urgjencë? Pse këto para të shqiptarëve që mund t’i kishit përdorur realisht për emergjencë?
Gonxhja: Ju e dini që unë i di problemet se jam deputeti më i votuar në listë të hapur, pa mendjemadhësi.
Zhupa: Do të vinte zor që kërkon 4.3 milionë euro për një koncert, kur s’kemi avion për të fikur zjarret apo përdor dru për të ngrohur shkollat?
Gonxhja: Moral dhe hipokrizi për spitale e histori të tjera mos fillo se unë ua rrëzoj shumë kollaj.
Zhupa: Juve ju ka rënë tërmeti në qeveri, se e keni krejt të korruptuar.
Gonxhja: Po kaluam në politikë, do të transformohem dhe do të kthehem në politikan.
Gonxhja sqaroi se promotorit i është shprehur mbështetja për organizimin e eventit për aspekte të tjera të tij pasi shitja e biletave do të ishte e garantuar. Qeveria s’ishte e përgatitur për dhënien e fondeve për koncertin që nuk kishte garantuar ecuri në vetëfinancim, thotë Gonxhja dhe në këtë aspekt s’përfshihen vetëm biletat.
Gonxhja: Koncerti vjen si një nismë e konsultuar me qeverinë shqiptare prej 1 viti, dhe në fillim të këtij viti është marrë një informacion që nëse do ishte e mundur nga turi i Kanye West, do të jepnim mbështetjen tonë. Në fillim viti ne i kemi shprehur mbështetjen tonë promotorit për organizimin e këtij eventi. Mendohej nga promotorët që shitja e biletave do të ishte e garantuar, dhe mbështetja jonë duhet të ishte për aspektet e tjera. Nuk kemi qenë në dijeni, nuk ishim të përgatitur për financim pjesor të këtij eventi.
Zhupa: Kush ishte nevoja?
Gonxhja: Ishte në rrezik mosorganizimi i eventit për arsye se eventi nuk kishte garantuar ecuri në vetëfinancimin e eventit. Një event nuk financohet vetëm nga biletat, financohet nga një sponsor etj. Ishte e paparashikuar situata.
Zhupa: Po pse pra?
Gonxhja: Ne nuk e kemi luksin të krahasohemi me tregjet e huaja ku është anuluar koncerti. Nuk jemi as Italia, as Mbretëria e Bashkuar apo Polonia.

