Politikë

Ç’ndodhi gjatë seancës në GJKKO? Kryemadhi: Zarf i zi për SPAK-un e Altin Dumanit!

Monika Kryemadhi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ngritur një sërë pyetjesh drejtuar SPAK-ut dhe ish-kreut të këtij institucioni, Altin Dumani, lidhur me hetimin ndaj saj dhe përdorimin e bisedave telefonike si prova.

Kryemadhi pretendon se dosja prej 240 faqesh, e ndërtuar mbi bisedat telefonike, është e paligjshme dhe kërkon sqarime mbi bazën ligjore të saj.

Në reagimin e saj, ajo i referohet vendimit nr. 481, datë 17 dhjetor 2023, duke pretenduar se gjykata ka konstatuar se telefoni në fjalë nuk ishte në pronësi të saj. Nisur nga kjo, Kryemadhi pyet se mbi çfarë provash mbështetet akuza e ngritur ndaj saj.

Nga ana tjetër, ajo shtron edhe pyetjen se, nëse organi i akuzës pretendon se telefoni ishte i saj, ku ndodhet autorizimi i kërkuar sipas nenit 73 të Kushtetutës dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, Kryemadhi kërkon të dijë me çfarë vendimi gjykate është autorizuar hapja dhe kontrolli i telefonit.

Në përfundim të reagimit të saj, ajo thekson se këto pyetje kërkojnë përgjigje të qarta, duke e mbyllur postimin me fjalët: “Shihemi…”.

“Zarf i zi për SPAK-un e Altin Dumanit.

Pretendoni se keni ndërtuar një dosje prej 240 faqesh mbi bisedat e telefonit të Monika Kryemadhit.

Por lindin disa pyetje:

1- Me vendimin nr. 481, datë 17.12.2023, gjykata vendosi se telefoni nuk është i Monika Kryemadhit.

2- Atëherë, mbi çfarë provash mbështetet akuza?

3- Nëse, përkundrazi, pretendoni se telefoni është i saj, atëherë ku është autorizimi i kërkuar sipas nenit 73 të Kushtetutës dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale?

4- Me çfarë vendimi gjykate është hapur telefoni im?

Këto pyetje kërkojnë përgjigje të qarta. Shihemi…”-shkruan Kryemadhi përbri videos që ka publikuar në profilin e saj.