Aktualitet

Drejtësia e patronazhistëve në Sarandë thyen rekord: Avokatja caktohet kryesisht dhe çështja shkon në gjykim për 14 sekonda

Shkruar nga Arben Llangozi

Kjo nuk është drejtësi. Kjo është përdhosje e drejtësisë, tallje me ligjin dhe poshtërim i profesionit të avokatit…

Në Sarandë, drejtësia duket se është kthyer në një teatër të turpshëm dhe dramë për qytetarët. Vendi ku prokuroria kërkon, gjykata vulos dhe avokatja e caktuar kryesisht shërben vetëm si kukull e procesit dhe nuk kupton se për çfarë akuzohen të pandehurit .

Çështja në fjalë ka të bëjnë me një çështje ku gjykata kishte caktuar seancën në orën 13:00. Avokatët e zgjedhur u paraqitën dhe pritën mbi një orë, fakt i dokumentuar në procesverbal. Dhe nga sekretaria i është thënë se janë për tu gjykuar edhe katër çështje të tjera.

Gjykata e nisi seancën rreth orës 14:10 me afro një orë e dhjetë minuta vonesë për shkak të vetë saj, por në vend që të merrte përgjegjësinë për kaosin që krijoi, ua faturoi pasojat të pandehurve dhe mbrojtjes së tyre.

Ky është absurd i rëndomtë i drejtësisë së re, gjykata shkel orarin, mban avokatët në pritje dhe më pas sillet sikur problemi janë avokatët, jo vetë gjykata e cila nuk respekton orarin e punës pasi çështjet fillojnë çdo ditë në orën 10:00.

Më pas nis skena më e rëndë. Gjykata cakton avokatë kryesisht, në 14:11:31, avokatja e caktuar kryesisht deklaron se merr përsipër mbrojtjen pa e marrë vesh asnjëherë se për çfarë akuzoheshin klientët e sajë. Në orën 14:11:33 legjitimohet. Në orën 14:11:45 gjykata tërhiqet për vendim.

Avokates së famshme ju deshën katërmbëdhjetë sekonda për të “mbrojtur” dy të pandehur. Katërmbëdhjetë sekonda për të marrë vesh se për çfarë akuzohen. Katërmbëdhjetë sekonda për të lexuar dosjen, për të analizuar provat, për të komunikuar me klientët, për të kuptuar pozitat e tyre dhe për të ngritur kërkesat procedurale që mund të përcaktonin të ardhmen e procesit.

Procesverbali dokumenton qartë se avokatja nuk pati kohë as të kuptonte akuzën, e jo më të ushtronte mbrojtje. Ajo nuk kërkoi dosjen, nuk kërkoi shtyrje, nuk kërkoi takim me të pandehurit, nuk kërkoi asnjë minutë për t’u njohur me çështjen dhe nuk ngriti asnjë kundërshtim. Thjesht shqiptoi fjalinë “marr përsipër mbrojtjen” dhe u kthye në dekorin që i duhej gjykatës për ta mbyllur farsën në shenjë hakmarrjeje.

Një avokat që nuk di akuzën, nuk njeh provat dhe nuk ka folur me klientin nuk po mbron askënd. Por i shërben vetëm gjyqtarit patronazhist të partisë.

Kjo është arsyeja pse qytetarët humbin besimin te drejtësia. Jo nga fjalët, por nga skandale të tilla, ku avokat prokuror dhe gjyqtar bashkëpunojnë kundër drejtësisë dhe qytetarit.

Gjykata kishte një orë kohë të vonohej, por nuk kishte pesë minuta kohë për të garantuar mbrojtjen. Kishte kohë t’i mbante avokatët në korridor, por jo të respektonte të drejtën e të pandehurve. Kishte kohë të krijonte shkeljen, por jo ta ndreqte.

Kjo nuk është drejtësi. Kjo është përdhosje e drejtësisë, tallje me ligjin dhe poshtërim i profesionit të avokatit. Dhe kur një çështje dërgohet në gjyq nga një avokate që nuk ka marrë vesh as akuzën, atëherë fjala “proces i rregullt” nuk është më argument. Është fyerje.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet të procedojë dhe ti heqin Licencën avokates që pranoi këtë farsë pa njohur akuzën, pa parë dosjen dhe pa folur me klientët për 14 sekonda, ndërsa ILD duhet të hetojë gjyqtaren që e ktheu një të drejtë kushtetuese në dekor procedural.

Nëse institucionet heshtin edhe përballë këtyre 14 sekondave të dokumentuara, atëherë nuk po mbrojnë drejtësinë, por po mbrojnë përdhosjen e saj.