Është e lehtë të thuash “këmbë e majtë”. Është e lehtë të thuash “argjentinas me këmbë të majtë”. Por Matias Sulè dhe Franko Mastantuono nuk janë i njëjti lojtar dhe në planet e Milanit ata zënë pozicione të ndryshme. Sulè është një nga emrat në listën e përforcimeve për repartin e trekuartistëve.
Ai mund të bëhet lojtari që, së bashku me Puliçiçin ose Nkunkun, do të mbështesë Gonçalo Ramosin duke nisur nga krahu i djathtë. Mastantuono është një mundësi merkatoje, sepse do të largohet nga Reali i Madridit në formë huazimi. Të dy kanë një këmbë të majtë jashtë normales. Po, por cili prej tyre do t’i leverdiste më shumë Milanit?
Ndryshimet në merkato
Fillimisht duhet parë ndryshimi kryesor, sepse romantizmi është i bukur, por paratë kanë peshën e tyre. Roma kërkon 40 milionë euro për Sulènë. Duke parë situatën e merkatos, mund të mendohet se marrëveshja mund të mbyllet rreth shifrës 30 milionë euro.
Ndërsa Mastantuono nuk mund të blihet. Reali i Madridit ka investuar për të dhe, pas një viti të komplikuar, kërkon një zgjidhje në formë huazimi. Një huazim në Europë, jo një rikthim te River Plejti, klubi nga i cili erdhi talenti argjentinas. Sigurisht, kjo ka edhe anën tjetër të medaljes. Kush merr Mastantuonon shpenzon pak ose aspak, por punon për Realin e Madridit, përveç rastit kur arrin të sigurojë kushte të veçanta, si për shembull një të drejtë blerjeje të ardhshme, ndoshta edhe me mundësi riblerjeje nga Reali. Pikërisht këtu luhet beteja.
Ndryshimet në fushë
Sulè është katër vite më i madh. Ai është i vitit 2003 dhe ka më shumë eksperiencë duke luajtur i hapur në krah, pranë vijës anësore. Mastantuono është i vitit 2007 dhe është më shumë një trekuartist, më pak një anësor i pastër. Ai është më i aftë për të goditur portën, por më pak efektiv në shpërthimet e para dhe në duelet e shpejtësisë. Kush dëshiron të kuptojë se cili prej tyre i përshtatet më shumë Milanit, duhet të mendojë për Ruben Amorimin.
Në skemën e tij 3-4-2-1, cilat janë karakteristikat që nevojiten më shumë? Një lojtar lidhës mes reparteve apo një futbollist me këmbë të majtë që mund të fi tojë duelet një kundër një? Nëse pyeten shifrat, ato të përgjigjen duke të drejtuar nga Roma, sepse Sulè në sezonin e fundit ka qenë më i mirë në pothuajse të gjithë parametrat. Më shumë gola, më shumë asistime, më shumë raste të krijuara dhe më shumë goditje në portë. Sigurisht, duhet marrë në konsideratë edhe problemi i tij me pubalgjinë dhe duhet parë situata në kontekst.
Matias ka katër vite më shumë eksperiencë dhe te Roma ka qenë titullar. Ai pothuajse nuk ka luajtur asnjëherë një ndeshje të plotë nga fi llimi deri në fund, por shumicën e ndeshjeve i ka nisur si titullar. Ndërkohë Mastantuono kishte përreth një grup lojtarësh të jashtëzakonshëm: Belingam, Mbape, Vinisius, Valverde, Arda Gyler, Brahim Diaz. Kjo solli edhe kufi zime për hapësirat e tij. Ai ka luajtur 11 ndeshje si titullar dhe më pas, mes dëmtimeve dhe zgjedhjeve teknike, më shpesh është aktivizuar në pjesën e dytë. Nëse dikush do t’i thoshte: “Shko dhe luaj sikur të ishe në Buenos Aires”, kush e di se çfarë do të mund të tregonte Mastantuono.

