Aktualitet

Tarifë e re për naftën dhe benzinën/ Qeveria vendos 0.75 lekë për litër për shënjimin e karburanteve

Qeveria ka miratuar rregulla të reja për monitorimin, kontrollin dhe gjurmueshmërinë e karburanteve, duke vendosur një tarifë të re për kompanitë që tregtojnë naftë dhe benzinë. Sipas vendimit, subjektet do të paguajnë 6.5 euro për çdo 1 mijë litra karburant, ose rreth 0.75 lekë për litër me TVSH, një kosto që mund të reflektohet edhe në çmimin final në pompë.

Tarifa do të mblidhet nga shoqëria “ALBTrace CO”, e cila do të jetë përgjegjëse për procesin e shënjimit të lëndëve djegëse.

Detyrimi do të zbatohet për të gjitha subjektet që importojnë, tregtojnë, shpërndajnë, transportojnë, magazinojnë, prodhojnë, rafinojnë ose ushtrojnë veprimtari të tjera tregtare me produktet që i nënshtrohen shënjimit dhe që paguajnë detyrimet fiskale për to.

Administrata Doganore do të mbikëqyrë zbatimin e sistemit, duke përdorur laboratorë të lëvizshëm, analiza në terren dhe sisteme monitorimi për të verifikuar përputhshmërinë e karburanteve me standardet ligjore.

Sistemi i ri i shënjimit dhe monitorimit do të hyjë në fuqi pas përfundimit të një periudhe tranzitore prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi e vendimit. Më herët, shërbimi i markimit të karburanteve ishte dhënë me koncesion një kompanie private nga viti 2013 deri në vitin 2024, kur përgjegjësia për këtë proces kaloi te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.