Politikë

Bashkim Ulaj merr goditje të fortë për Rrjollin, humbet gjyqin me Agron Shehajn

Bashkim Ulajt nuk i ecën s’kema, gjykata rrëzon tentativat për të ndaluar denoncimin e aferës me Rrjollin…

Bashkim Ulaj ka marrë një goditje të fortë sa i takon çështjes së Rrjollit.

Ndër të paktët deputetë që ngriti zërin për atë aferë ishte Agron Shehaj, i cili denoncoi se si ju rrëmbye prona banorëve. Por në vend që Bashkim Ulaj të jepte llogari, paditi në gjykatë Shehajn. Mirëpo kjo skemë nuk i ka ecur.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar padinë e biznesmenit, duke e shpallur Shehajn të pafajshëm për veprën penale të shpifjes.

Pas shpalljes së vendimit, Partia Mundësia reagoi duke e cilësuar atë si një konfirmim se denoncimi i çështjeve me interes publik nuk përbën vepër penale. Sipas kësaj force politike, vendimi përforcon mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtën e përfaqësuesve të zgjedhur për të ngritur shqetësime publike.

Emri i Bashkim Ulajt lidhet me projekte infrastrukturore të mëdha, si aksi Thumanë-Kashar dhe Unaza e Madhe e Tiranës, të cilat janë shoqëruar me denoncime dhe hetime nga SPAK për procedurat dhe kostot e fryra. Po ashtu, në Rrjoll ka pasur përplasje dhe dhunë ndaj banorëve, por drejtësia dhe vetë SPAK janë dorëzuar përballë tij.

Kompania “Gener 2” disponon dokumente kadastrale për 150 hektarë tokë, të blerë nga shtetasi Fatmir Shpellzaj, ndërsa banorët e Baks-Rrjollit pretendojnë se toka është e tyre dhe u është grabitur me dokumente zyrtare false.

Ata kanë bërë kallëzim në SPAK për dokumentet false, për bllokim punimesh të kompanisë “Gener 2” dhe largimin e forcave policore nga zona, deri në zgjidhjen gjyqësore të konfliktit.

Shefat e SPAK-ut kanë deklaruar mungesën e kompetencës, duke ia kaluar çështjen për hetim Prokurorisë së Shkodrës, kur kallëzimi që kanë bërë banorët ka si akuzë veprat penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, falsifikimit të dokumenteve zyrtare e kadastrale në bashkëpunim dhe përfitimit të paligjshëm të pasurisë.

Prokuroria e Shkodrës, përveç dosjes që i ka dërguar SPAK-u si kompetencë lëndore, ka disa kallëzime penale që kanë bërë banorët e Baks-Rrjollit me të njëjtat akuza.

Por nuk zbatohet Kodi i Procedurës Penale, duke mos bllokuar punimet e kompanisë “Gener 2” deri në përfundim të hetimit dhe shpalljes së vendimit të formës së prerë; madje ka mosveprim edhe nga Gjykata e Shkodrës, e cila nuk bën sigurimin e padisë deri në gjykimin e çështjes. /Pamfleti