Aktualitet

Divjaka i thotë “jo” hartës së re territoriale, kryebashkiaku i bashkohet protestës!

Kundërshtimet ndaj draftit të reformës së re territoriale të propozuar nga mazhoranca po zgjerohen në disa bashki të vendit. Pas protestave në Klos, Dimal, Patos dhe Selenicë, reagime ka pasur edhe në Divjakë, ku banorët kanë dalë në protestë kundër planit që parashikon bashkimin e bashkisë së tyre me Bashkinë e Lushnjës.

Protestës iu bashkua edhe kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, i cili doli në mbështetje të qytetarëve që kundërshtojnë ndryshimin e hartës administrative.

Banorët argumentojnë se shkrirja e Bashkisë së Divjakës do të largojë shërbimet publike nga qytetarët, do të dobësojë përfaqësimin lokal dhe do të ndikojë negativisht në zhvillimin e zonës.

Reforma e re territoriale, e propozuar nga Partia Socialiste, parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend përmes bashkimit të disa njësive vendore.