Ndërhyrja erdhi pas denoncimeve të forta të banorëve dhe pushuesve, të cilët kundërshtuan vendosjen e barrierave që cenonin lëvizjen e lirë drejt bregdetit
Janë hequr përfundimisht pengesat e paligjshme që kufizonin dhe bllokonin hyrjen e lirë në zonën e bregdetit në plazhin e Karpenit në Kavajë. Pas ndërhyrjes, e gjithë vija bregdetare e kësaj zone është bërë sërish plotësisht e aksesueshme për qytetarët dhe pushuesit e shumtë.
Zgjidhja e këtij problemi erdhi si reagim i drejtpërdrejtë fill pas denoncimeve të njëpasnjëshme të bëra publikisht nga banorët e zonës dhe vizitorët.
Ata kishin kundërshtuar në mënyrë të prerë vendosjen e një porte metalike, e cila pengonte lëvizjen dhe funksiononte si barrierë për të mbërritur në det, duke u konsideruar si një cenim flagrant i së drejtës për të gëzuar hapësirat publike.
Çështja e administrimit, zaptimit dhe përdorimit të vijës bregdetare ka qenë vazhdimisht në qendër të debateve publike në vend, ku rasti i Karpenit u krahasua me problematika të ngjashme të ndodhura edhe në zona të tjera bregdetare të Shqipërisë.
Pas largimit të barrierës dhe portës bllokuese, situata në plazhin e Karpenit i është rikthyer normalitetit të plotë. Tashmë qarkullimi drejt rërës bëhet pa asnjë kufizim.
