Një lajm i trishtë ka ardhur nga familja e deputetes demokrate Elda Hoti, ku bashkëshorti i saj, Ladi Ndoja, është ndarë nga jeta në moshën 46-vjeçare.
Lajmin e hidhur e bëri të ditur vetë deputetja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu dhimbjen e madhe për humbjen e bashkëshortit.
“U prehsh në paqe i miri zemrës time! Ladi im Shpirti im. Do na mungosh gjithë jetën,” shkruan deputetja.
Ndërkohë, edhe vëllai i të ndjerit, Aleksandër Ndoja, njoftoi se 46-vjeçari u nda papritur nga jeta si pasojë e një ataku kardiak.
Në postimin e tij ai shprehet se ikja e vëllait në këtë moshë la një goditje të rëndë dhe të papritur për familjen.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë se vëllai ynë i dashur, Ladi Ndoja, u nda papritur nga jeta në moshën vetëm 46-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Një goditje e rëndë dhe e papritur për familjen tonë, që na ka lënë pa fjalë dhe me një dhimbje të pamasë. Ladi la pas bashkëshorten e tij të dashur Elda Hoti dhe dy fëmijët e vegjël, të cilëve u mungon tashmë shtylla e familjes së tyre. Në këto çaste të vështira, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë miqve, të afërmve dhe dashamirësve, ndërsa përpiqemi të përballojmë këtë humbje të rëndë. U prehsh në paqe, i dashur Ladi! Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona”, shkruan ai.
Ndarja e parakohshme nga jeta e Ladi Ndojës ka prekur të gjithë, duke lënë në dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe të afërmit.


