Kronikë

Iu vu pas me “Audi” dhe e qëlloi te Ura e Milotit, shkaku i atentatit të djeshëm dyshohet të jetë një divorc, 30-vjeçari u plagos nga ish-kunati

Atenati i ndodhur pasditen e djeshme në zonën e njohur si Ura e Milotit, dyshohet të ketë ndodhur për shkaqe divorci.

Gazetari Elvis Hila ka zbuluar detaje të reja në lidhje me ngjarjen e djeshme për të cilën thotë se grupi hetimor është përqendruar në një konflikt familjar mes autorit të dyshuar të ngjarjes dhe 30-vjeçarit që ishte shënjestër e sulmit.

Të njëjtat burime janë shprehur se dyshohet që përplasja ka ardhur pas divorcit të 30-vjeçarit me motrën e autorit të dyshuar, çka ka shkaktuar përshkallëzimin e konfliktit.

Sakaq bëhet me dije se Policia prej ditës së djeshme është në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes. Ndërsa shtetasi që mbeti i plagosur bëhet me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 18:00, te Ura e Milotit, dyshohet se shtetasi Gj. Gj., i cili lëvizte me një automjet tip “Audi”, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tjetër tip “Audi”, në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi M. J., 30 vjeç, banues në Rubik.

Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se nuk ka persona të dëmtuar.

Shërbimet e Policisë vijojnë ndjekjen e autorit të dyshuar.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.